Me ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale të propozuar në një projekt-ligj të përgatitur në kuadrin e Reformës në Drejtësi, dërguar Kuvendit më në 28 dhjetor 2016, qeveria Rama është duke u përgatitur për t’ua transferuar prokurorive të rretheve hetimin e trafikimit të drogës.
Nëse kjo gjë do të ndodhë, do të ulet efikasiteti i veprimtarive ligjvënëse që pengojnë aktivitetet fitimprurëse të prodhimit të kanabisit.
Në sistemin e vjetër të para reformës, kultivimi dhe tregtia e drogës ishin përgjegjësi e prokurorive të rretheve, ndërsa trafiku i drogës dhe krimi i organizuar ishin në kopetencë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila në vitin 2015 regjistroi rreth 365 raste të reja përveç rasteve të marra nga prokuroritë e rretheve.
Me ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, të paraqitura në Kuvend, pjesë e paketës së ndryshimeve ligjore të parashikuara nga Reforma në Drejtësi—në këtë kuadër Prokuroria e Krimeve të Rënda shpërbëhet, dhe krijohet SPAK, një prokurori speciale—ekspertiza për krimin e organizuar do të bëhet pjesë e kësaj prokurorie speciale, e cila do të jetë gjithashtu përgjegjëse për të gjitha veprat e korrupsionit, me përjashtim të shpërdorimit të detyrës.
Në këtë mënyrë, të gjitha hetimet mbi trafikimin, duke përfshirë ato të trafikut të drogës, do të jenë përgjegjësi e prokurorëve të rretheve, përveç rastit kur trafiku është pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, rast që do të hetohet nga SPAK
Por përkufizimi i një grupi të strukturuar kriminal, i dhënë në nenin 28 paragrafi 4 të Kodit Penal, kërkon që grupi të jetë i përbërë nga tre ose më shumë persona të cilët lidhen “jo rastësisht”. Ky përcaktim e vështirësuar shumë sfidën e vërtetimit të kësaj “jo rastësie”, pasi praktikisht duhet që i njëjti grup të kishte kryer më shumë se një vepër të ngjashme.
Në fakt, sipas raportit vjetor për vitin 2015 paraqitur Kuvendit nga Prokurori i Përgjithshëm, në vitin 2015, nga 32 mijë raste penale të regjistruara në Shqipëri, 1 900 ishin për prodhim dhe tregtim të drogës dhe 390 raste të trafikut ndërkombëtar—nga të cilat 130 për trafik të drogës—raste të grupeve të strukturuara kriminale ishin vetëm 15 dhe vetëm 7 prej tyre janë dërguar në gjyq me 41 të pandehur në total.
Vendimi i juridiksionit të hetimit bazohet në referencën që bën policia, e cila kryen gjithmonë hetimet fillestare. Prokuroria mund ta ndryshojë juridiksionin e hetimit në përputhje me rezultatet e hetimit, pra në varësi të asaj që zbulojnë hetimet fillestare prokurorët mund t’i kalojnë një prokurorie tjetër.
Por duket e pamundur që një prokuror i një prokurorie të rrethit të vendosë t’i heqë vetes mundësinë e një hetimi të madh.
Pra, prokuroritë e rretheve dhe komisariatet e policisë do të kenë mundësi t’i mbajnë në kontrollin e tyre hetimet për trafikun e drogës dhe trafikimin në përgjithësi, edhe pse ato kanë aftësi dhe përgatitje të vogël teknike.
Kështu, ndërsa të gjitha kancelaritë e botës kërkojnë përkushtim në luftën kundër prodhimit dhe tregtisë së drogës, ekspertët e qeverisë prodhojnë një ligj që duket se ka qëllime të kundërta, uljen e efikasitetit të hetimit të trafikut të drogës.
Me fjalë të tjera, qeveria ka vendosur t’ja besojë Prokurorisë së Sarandës hetimin e Klement Balilit. Mund të merret me mend si mund të shkojnë këto hetime.