Rregullorja e re që mbron Qendrën Historike nuk e mbrojti banesën e Thanas Kamberit në hyrje të lagjes Pazari i Vjetër në Gjirokastër. Zjarri që shpërtheu, fillimisht në çati, u përhap në të dyja katet e shtëpisë dhe brenda tridhjetë minutave përpiu gjithçka!
Banesa e njohur si Shtëpia e Vasilikës u dogj të dielën e pesë marsit, ende pa u mbushur viti, qysh kur kjo ndërtesë e vjetër guri, me çati e tavane të drunjta, u vu nën mbrojtje dhe u shpall monument kulture i kategorisë së dytë nga ministria e kulturës.
Kur restauratori me famë botërore, Àndras Roman, një prej themeluesve të ICOMOS-s mbërriti në Shqipëri, në vitin 1992, ai raportoi këto fjalë në UNESCO: “Mbrojtja e monumenteve në Shqipëri kryhet me standardet më të larta evropiane, përmes një pune restauruese origjinale”.
UNESCO filloi procedurat e regjistrimit. Por fati i trashëgimisë së qytetit do të lidhej me një numër ngjarjesh të mëtejshme, që përcaktuan historinë politike të Shqipërisë së re kapitaliste postkomuniste.
Përmbysja politike e më pas rënia e skemave piramidale në vitet ’90, e vonuan procesin. Sidoqoftë, pas rimëkëmbjes në vitet 2000, ndonëse jo pa pasoja, trashëgimia e Gjirokastrës mori vlerësimin e merituar.
Në vitin 2005, kur Partia Demokratike e Sali Berishës po rikthehej në pushtet, qyteti u regjistrua si Trashëgimi Botërore. Krenaria për të shkuarën historike u bë pjesë e entuziazmit popullor. Përmes mbrojtjes ndërkombëtare, garantohej e ardhmja.
Por brenda një dekade, shpresa që u pasua nga heshtja po shndërrohet në një zhgënjim. Sepse “Qyteti më i çuditshëm në botë”, rrezikon të humbasë!
Dhe ja provat!
Kur misioni i parë i ekspertëve ndërkombëtarë e vizitoi Gjirokastrën, ata konstatuan vetëm mungesën e burimeve ekonomike. Ndonëse nën një menaxhimin të izoluar, për shkak të paranojës komuniste, apo edhe përmes një kujdesi të veçantë, si vendlindja e diktatorit, qyteti ia kishte dalë t’i ruante, të padëmtuara, vlerat e tij.
Kështu, pas shtatë muajsh, në 15 korrik 2005, i tërë ansambli historiko-arkitekturor i qytetit të vjetër të Gjirokastrës, së bashku, me rreth 650 banesa dhe objektet e kultit, u shpall Trashëgimi Botërore, sipas kritereve (criteria iii and iv) të caktuara nga UNESCO.
Pikërisht, le të shohim ecurinë, nën perspektivën e menaxhimit nga 2005-a e sot!
Për herë të parë në vitin 2008, ICOMOS sugjeron, inventarizimin e monumenteve, duke kërkuar ndarjen prej tyre të objekteve të jashtëligjshme, të ndërtuara qysh prej vitit 1990.
Brenda një periudhe jo të gjatë, ata këmbëngulën në zbatimin e një plani për prishjen e këtyre ndërtimeve. Raporti kërkoi gjithashtu, përmirësimin e masave kundër zjarrit në Qendrën Historike.
Po tamam gjatë këtij viti, drejtuesit e ministrisë së kulturës shkurtuan të ashtuquajturit, kujdestarë, nëpër drejtoritë rajonale, që kujdeseshin, duke vëzhguar e shënuar çdo ndërhyrje të paligjshme brenda qendrave historike, veçanërisht për qytetet e Gjirokastrës dhe të Beratit. Aq i rëndësishëm konsiderohej ky vëzhgim, saqë numri i kujdestarëve të monumenteve në administratën komuniste, për të gjithë Shqipërinë, shkonte në 250 punonjës, në një kohë kur rendi dhe siguria ishte në dorën e regjimit diktatorial(!).
Kësisoj, në një vit, volumi i ndërhyrjeve, brenda zonës së mbrojtur të qytetit, u trefishua. Deformimet në Qendrën Historike morën përmasa dramatike. Sipas Raportit mbi Gjendjen e Konservimit (UNESCO 2009), numri i ndërtimeve të reja në zonën e mbrojtur arriti në 245 objekte! Sipas vëzhgimit, mbrojtja ndaj zjarrit ishte e dobët për shkak të vështirësive që zjarrëfikësit hasnin në terren.
Alarmi, sidoqoftë, pati efektin e tij, kur në vitin 2010, ndërhyrjet apo ndërtimet e reja ndaluan. Veçse, kërkesat e UNESCO-s u shpërfillën. Reagimi ndaj ndërtimeve të paligjshme që kishin zaptuar qendrën historike të qytetit ishte inekzistent.
Sipas raportimeve, në vitin 2011 u regjistruan 70 ndërtime të reja, 62 shtesa dhe 110 ndërhyrje të vogla, vetëm në pjesën e jashtëme, në fasada. Hidrantët portativë dhe makinat zjarrëfikse, të vogla, të nevojshme për shkak të rrugëve të ngushta të Gjirokastrës, mungonin.
Nën këtë katrahurë të pakontrolluar urbane, një mision special i UNESCO-s (2012) mbërrin në Gjirokastër. Konstatimi merret lehtësisht me mend: sistemi i kontrollit për ndërtimet e paligjshme nuk funksionon! Plani veprimit nuk ekziston! Dhe së bashku më banesat e kategorisë së dytë janë vendosur në hartë edhe ndërtimet e paligjshme.
Tamam këtu fillon kthesa, ose rënia e Gjirokastrës!
Sipas Misionit, Vlerat e Jashtëzakonshme Universale (OUV) të cilat përfshijnë rrugët, peizazhin dhe monumentet duhet, jo vetëm të shkruhen, por të vendosen mbi hartë! Pra UNESCO kërkon një klasifikim më të saktë të ndërtesave historike, për shkak se brenda tyre përfshiheshin si monumente edhe ndërtime të paligjshme.
Por në fakt, hartëzimi kërkonte vendosjen e katër kategorive: monumentet e kategorisë së parë, monumentet e kategorisë së dytë, ndërtesat e paligjshme dhe ndërtesat e ligjshme që nuk konsideroheshin monumente. Merret lehtësisht me mend, se masakra që fshihej prej vitesh, shumë shpejt do të zbulohej.
Fati e largoi Partinë Demokratike nga pushteti, por rikthimi i socialistëve nuk e përmirësoi gjendjen e ndërtesave historike.
Ndonëse qeveria, përmes nënshkrimit të një moratoriumi, i ndaloi, përkohësisht veprimtaritë ndërtimore, ajo nuk mori asnjë plan veprimi kundër ndërhyrjeve të paligjshme.
Me një pasivitet, e aftë për të zemëruar edhe mbështetësit më fanatikë, ministria e kulturës i dorëzon UNESCO-s një listë prej 244 ndërtimesh të paligjshme, 68 prej të cilave, ndërtesa komplet të reja (Ju mund ta imagjinoni se për çfarë ndërtimesh bëhet fjalë!)
Në këto rrethana, në raportin vjetor të vitit 2013, UNESCO i kërkon shtetit shqiptar ngritjen, sa më shpejtë, të një strukture menaxhimi, përgjegjëse për monitorimin dhe kontrollin e ndërtimeve të jashtëligjshme.
Por për periudhën gjatë viteve 2014-2015, Drejtoria Rajonale e Kulturës në Gjirokastër raportoi vetëm 13 ndërhyrje të paligjshme.
Kjo drejtori ka katër punëtorë dhe një kryemjeshtër, paga e të cilit nuk i kalon 30,000 lekë në muaj, ndonëse i pajisur me kategorinë e shtatë të kualifikimit! Kjo bërthamë, përgjegjëse për Rilindjen e Trashëgimisë, ka në dispozicion një fond mirëmbajtjeje prej 15 milionë lekësh në vit dhe kontrollon një territor prej dhjetëra hektarësh, në të cilin përfshihen disa qindra monumente!
Gjatë vitit që shkoi, vitit të fundit të plotë të mandatit, qeveria socialiste, ndau për kulturën 0,38 për qind të buxhetit dhe vetëm një e treta e kësaj shume shkoi për trashëgimisë kulturore!
Por le të kthehemi te raportet e UNESCO-s e të shohim rënien e trashëgimisë nga perpektiva e tyre.
“Mungesa e një strategjie për edukimin, trajnimin dhe forcimin e kapaciteteve në fushën e trashëgimisë” ishin disa prej përfundimeve të Organizatës Ndërkombëtare për vitin 2014. “Mungesa e një buxheti të pamjaftueshëm për të siguruar, të paktën një konserivim bazë për monumentet” u konsiderua gjithashtu një çështje serioze.
Kështu, propaganda në Tiranë lëvizi. “Miku i monumentit” një fushatë promovuese që tentonte edukimin e brezit të ri me vlerat e trashëgimisë kulturore, iu dha si titull disa shkollave në Gjirokastër.
Qeveria nuk e mbajti premtimin se do të hartonte një ligj të ri për trashëgiminë në vitin 2015, por u mjaftua me hartimin e një rregulloreje (07. 07. 2015) e cila mbronte qendrat historike brenda qyteteve muze si Gjirokastra dhe Berati dhe pas disa muajsh, për herë të parë, qysh prej vitit 1961, kur Gjirokastra ishte shpallur qytet-muze, i shpalli zyrtarisht banesat e Gjirokastrës, brenda Qendrës Historike, si monumente të kategorisë së dytë.
Por gjysma e këtyre banesave, të cilësuara prej vitesh si të tilla, madje të përfshira edhe në inventarin e UNESCO-s, mbetën jashtë shpalljes. Statusi i mbrojtjes kishte rënë!
Këto ndërtesa të lëna pa status, s’janë veçse ish monumentet e deformuara nga ndërhyrjet e paligjshme në tërë këto vite dhe reflektojnë paaftësinë e të gjitha autoriteteve qëndrore e lokale që kanë menaxhuar qytetin dhe trashëgiminë e tij. Ato janë dëshmia e turpit dhe e barbarisë së përbashkët e cila bashkon të gjitha qeveritë, ministrat e kulturës dhe kryeministrat e vendit.
Pra, në paaftësi të plotë për të menaxhuar një plan rikuperimi për kthimin e tyre në gjendjen e mëparshme, ministria e kulturës, në mars të 2016-s, i braktisi përgjithmonë! Fati i tyre i ardhshëm mund të hamendësohet…
Është qesharake të mendosh se këto ish monumente, ose “objekte pa status” do të mbrohen prej Rregullores së re e cila në nenin 13-të garanton për to veçse fjalë të përgjithshme dhe akoma më shumë le mundësi për përshtatjen e tyre, gjoja në emër të ruajtjes së Ansamblit. Çfarë hipokrizie!
Por lënia pa status mund t’i hapë rrugë procesit të legalizimit për ish monumentet të cilat, në bazë të nenit 39 të Ligjit për Legalizimin e Ndërtimeve pa Leje, – nuk lejon legalizimin e monumenteve të kulturës.
Një studim i organizatës Trashëgimia Kulturore pa Kufij, i publikuar në vitin 2016, raporton se në Gjirokastër, 35 monumente janë shndërruar në rrënoja. Sipas po këtij vlerësimi, 357 monumente u janë nënshtruar ndërhyrjeve të jashtëligjshme dhe 170 prej tyre e kanë humbur karakterin monumental, ndërkohë që 122 të tjera janë transformuar plotësisht.
Autoritetet mund të jenë të zëna me përgatitjen e dosjeve të reja për në UNESCO, si Liqeni i Ohrit apo Apollonia. Ministrja e Kulturës, Znj. Kumbaro mund të largohet, pasi prej kohësh ka filluar fushatën e parakohshme në Luginën e Drinos, si deputete e ardhshme. Disa banorë mund të jenë entuziastë se do të legalizojnë banesat, por ndërkohë, Gjirokastra prej guri mund të humbasë përgjithmonë dhe rrezikon seriozisht që të mbetet e tillë vetëm në grafikat e famshme të Lirit apo në veprën e shquar të Kadaresë.