Të enjten e shkuar, Komisioneri i Zgjerimit Johannes Hahn foli para delegacionit të Parlamentit Europian për Maqedoninë, në lidhje me gjendjen politike në Maqedoni, sulmit të dhunshëm në parlamentin maqedonas nga mbështetës të Nikola Gruevskit.
Sipas faqes së lajmeve Euroactiv, bllokimin e krijimit të qeverisë pas zgjedhjeve Komisioneri Hahn e ka shpjeguar me pohimin se:
“Disa njerëz e kanë të vështirë të kalojnë nga qeveria në opozitë. Por ndryshimi i pushtetit është thelbi i demokracisë.”
Arsyetimin se VRMNO-DPMNE-së së Nikola Gruevskit i takon të qeverisë, Komisioneri Hahn e komentoi duke thënë se ai “është në dijeni të retorikës në Maqedoni se fituesi i zgjedhjeve duhet të jetë në qeveri”, por shtoi se “duhen respektuar, gjithashtu, shumicat që krijohen mbështetur mbi vullnetin e popullit”, duke ju referuar koalicionit që arriti të krijojë partia e dytë në zgjedhje, SDSM e udhëhequr nga Zoran Zaev, e cila përfshiu në koalicion partitë shqiptare të Maqedonisë.
Johannes Hahn paralajmëroi se tensionet etnike në Maqedoni mund të krijojnë shpërthime të reja të dhunës, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në rajon. Pa bërë ndonjë referencë të vecantë, por duke nënkuptuar deklaratat e fundit të Tiranës, Prishtinës dhe Beogradit, Hannes u shpreh:
“Kjo e madhe, ajo e madhe, ajo e madhe… Këto nuk janë të mundura. Sepse ato mbivendosen gjeografikisht.”