Gjykata e Lartë do të gjykojë deputetin socialist Alfred Peza për akuzat “fshehje të ardhurash”, “pastrim parash” dhe “mosdeklarim pasurie”. Dosja deputetit Peza u dërgua sot në gjykatë nga Prokuroria e Përgjithshme.
Hetimet ndaj deputetit socialist nisën pasi në janar, në media u bë publike blerja e aksioneve në bankën e nivelit të dytë nga bashkëshortja e Zotit Peza me vlerë 113 milionë lekë.
Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) nisi menjëherë kontrollin dhe hetimin administrativ për pasurinë e deputetit socialist Alfred Peza.
Sipas Zotit Peza, paratë ishin kursyer ndër vite nga ai dhe bashkëshortja e tij dhe se pasuria nuk kishte lidhje me pozicionin e tij si deputet në parlament.
Në prill, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi sekuestrimin e aksioneve të bashkëshortes së deputetit Alfred Peza në bankën Credins.
Avokati mbrojtës i Zotit Peza u shpreh i bindur në fitoren e klientit të tij, ndërsa deputeti Peza nuk bëri asnjë deklaratë përpara gazetarëve.