Partia Demokratike dorëzoi sot listën e plotë me 194 kandidatë për deputetë në gjithë vendin.
Bazuar në rezultatet e vitit 2013, po japim më poshtë një pjesë të kandidatëve që me shumë mundësi do të jenë pjesë e parlamentit të ardhshëm dhe që bëhen deputetë për herë të parë:
Në qarkun e Tiranës në ndryshim nga zgjedhjet e kaluara numri i mandateve është rritur nga 32 në 34. Partia Demokratike në zgjedhjet e vitit 2013 fitoi 11 mandate.
Në vende të sigurta nga lista e PD-së në Tiranë do të jenë të paktën tre deputete të reja në parlament, Oriola Pampuri e Rudina Hajdari prurje të reja në PD dhe Grida Duma që aktualisht mban postin e Sekretares për Marrëdhëniet me Publikun në PD.
Në Durrës po ashtu nga 13 mandate në zgjedhjet e kaluara, këtë vit janë 14 mandate. Partia Demokratike në zgjedhjet 2013 fitoi 5 mandate, ndërsa Agron Duka ka fituar vetë një mandat nën siglën e Partisë Republikane.
Bazuar në rezultatet e 2013-ës, nga qarku Durrës duket se do të kemi të paktën dy deputetë për herë të parë, Fatbardha Kadiu, që renditet e dyta dhe Vullnet Topalli, që renditet i gjashti.
Në qarkun e Beratit ku garohet për 7 mandate, PD në vitin 2013 ka fituar vetëm dy mandate. Bazuar në listën e propozuar sot, dy mandatet e sigurta i takojnë Eduard Halimit dhe Astrit Veliajt. Nëse PD arrin të marrë mandatin e tretë, fitues do të jetë Lefter Maliqi, që rikthehet në parlament pas një legjislature mungesë.
Në qarkun e Elbasanit ku garohet për 14 mandate, PD në vitin 2013 fitoi 4 mandate. Nëse këto zgjedhje PD arrin të marrë të njëjtën numër mandatesh, do të kemi në parlament të paktën dy deputetë të rinj, Endri Hasa, i dyti në listë dhe Taulant Zeneli, i katërti. Të dy janë pjesë e Këshillit Kombëtar të PD-së.
Në qarkun e Dibrës ku garohet për 6 mandate, PD në vitin 2013 fitoi 3 mandate. Nëse ruhen të njëjtat rezultate dhe në zgjedhjet e 25 qershorit, do të kemi dy deputetë që ulen për herë të parë në Kuvend: Xhemal Gjunkshi dhe Edmond Isaku, respektivisht të renditur në vend të dytë dhe të tretë.
Në qarkun e Gjirokastrës ku janë pesë mandate në garë, PD në vitin 2013 ka fituar vetëm një. Në listën e vitit 2017, i pari në këtë qark renditet Tritan Shehu që rikthehet në parlament, ish-kryetar i PD-së dhe deputet deri në vitin 2013.
Në qarkun e Fierit ku garohet për 16 mandate, PD në zgjedhjet e 2013-ës ka fituar 4 mandate. Nëse ruhen të njëjtat rezultate, do të kemi dy deputetë për herë të parë, Myslym Murrizin dhe Luan Baçin, të dy kryetarë të degëve të PD-së në Lushnje dhe Fier.
Në qarkun e Lezhës garohet për 7 mandate dhe PD në zgjedhjet e kaluara ka fituar 4 mandate. Bazuar në këto rezultate, prurje të reja të PD-së në Kuvend janë Lindita Metaliaj, juriste, dhe Andon Frrokaj ish-kryetar i një prej komunave të Lezhës.
Në qarkun e Korçës, ku garohet për 11 mandate, PD në zgjedhjet e kaluara ka fituar 5 mandate. Nëse ruan të njëjtat rezultate, në parlamentin e ardhshëm do të kemi 5 deputetë që ulen për herë të parë: Valentina Duka, dekane e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Ervin Salianji, sekretar i Aksionit Qytetar në PD, Hekuran Hoxhalli ish-drejtor i INUK-ut, Klevis Balliu dhe Andrea Mano, kryetari i PD-së në Korçë.
Në qarkun e Shkodrës ku garohet për 11 mandate, PD në zgjedhjet e 2013-ës fitoi 5 mandate. Bazuar në këto rezultate, në parlamentin e ardhshëm mund të kemi 4 prurje të reja: Romeo Gurakuqi, nga bota akademike, Izmira Ulqinaku zëdhënëse e PD-së Shkodër, Lorenc Luka ish-kryebashkiaku i Shkodrës dhe Bardh Spahia, ish-zëvendës ministër i Shëndetësisë.
Në qarkun e Vlorës garohet për 12 mandate dhe PD në zgjedhjet e 2013-ës fitoi 3 mandate. Po të ruhet i njëjti rezultat, do të kemi të paktën dy deputetë që ulen për herë të parë në Kuvend: Agron Shehaj, biznesmen dhe Nada Meçorapaj, këshilltare në Këshillin Bashkiak të Vlorës.
Në qarkun e Kukësit këtë vit garohet për për 3 mandate nga 4 që ishin në vitin 2013. PD në zgjedhjet e 2013-ës fitoi tre mandate, ndërsa PS një. Nëse ruhet të njëjtat rezultate, pra PS fiton një, e për pasojë PD 2 mandate, atëherë do të kemi një deputet të ri në parlament, Isul Çela, anëtar në Këshillin Kombëtar të PD-së.
Pra bazuar në rezultatet e vitit 2013, nga Partia Demokratike pritet të ulen për herë të parë në parlamentin e ardhshëm 25 deputetë të rinj.