Kur ka shkuar drejt fundit procesi i numërimit të votava të zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit në Kosovë, duket se rezultatet nuk kanë sjellë surpriza të minutave të fundit.
Lëvizja Vetëvendosje me 27,12 për qind të votave udhëheq si partia e parë, por koalicioni PDK-AAK-Nisma, që propozojnë për kryeministër Ramush Haradinaj, udhëheq në total me 33,98 për qind të votave.
Në vend të tretë me 25.74 për qind të votave, renditet koalicioni i LDK-AKR-Alternativa.
Rezultati në Prishtinë
Interesant është rezultati i qarkut të Prishtinës ku Lëvizja Vetëvendosje ka dalë forcë e parë me rezultat të thellë, 42,1 për qind të votave.
Në vend të dytë në Prishtinë renditet koalicioni LDK-AKR-Alternativa me 34,52 për qind, ndër koalicioni PDK-AAK-NISMA janë në vend të tretë me 19,92 për qind.
Parlamenti dhe Qeveria e ardhshme
Bazuar në rezultatet e derimëtanishme, një shpërndarje e mandateve në parlamentin 120 vendesh do të ishte: koalicioni PDK-AAK-NISMA me 39 deputetë, Lëvizja Vetëvendosje me 31 deputetë, koalicioni LDK-AKR-Alternativa me 30 deputetë. Me këtë shpërndarje asnjë parti nuk mund të formojë qeverinë e vetme, edhe sikur të ketë mbështetjen e 20 deputetëve të komunitetit serb e komuniteteve të tjera.
Opinionistët kosovarë shprehen se me siguri ky rezultat do të krijojë zvarritje në procesin e krijimit të institucioneve të reja.
Nga deklaratat e derimëtanishme Lëvizja Vetëvendosja duket se nuk do të bëjë koalicionin PDK-AAK-NISMA të Haradinajt e Thaçit.
Po ashtu dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e Isa Mustafës dhe Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit duken se nuk do të bashkojnë mandatet me koalicionin PDK- AAK-NISMA për të formuar qeverinë e re.
Kandidati për Kryeministër Ramush Haradinaj, nga koalicioni fitues PDK-AAK-NISMA, u shpreh i bindur se do të arrijë të formojë qeverinë e re brenda afateve kohore:
“Formimi i qeverisë do të bëhet në përputhje me detyrimet kushtetuese, me mandatin kushtetues. Por nuk shohim vështirësi sa i përket formimit të saj.”
Raporti i OSBE
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka bërë të ditur se zgjedhjet e 11 qershorit në Kosovë janë zhvilluar “pa parregullsi apo incidente të mëdha”.
Pjesa më e madhe e parregullsive sipas OSBE, ka pasur të bëjë me “mospranimin e kartave serbe të identitetit të disa votuesve dhe me raste të votimit të dyfishtë ose shumëfishtë”, çështje që janë zgjidhur shpejtë.
Raportin e plotë OSBE pritet ta publikojë pasi të këtë mbaruar plotësisht procesi i numërimit të votave dhe zyrtarizmi i rezultatit.