Kryeministri Edi Rama, ne një takim elektoral në qytetin e Gjirokastrës tha se “Partia Socialiste në Shqipëria është mbi të majtën dhe të djathtën”.
Zoti Rama vazhdoi te sulmoi LSI-në duke e quajtur fajtorin e vetëm për korrupsionin dhe keqqeverisjen e vendit. Ai tha se:
Janë ndjerë të grabitur, janë ndjerë të poshtëruar me dinjitetin e tyre, janë ndjerë të pështirë. Ajo që unë u them është shumë e thjeshtë; investoni me votën tuaj hakmarrjen për gjithë padrejtësitë e këtyre viteve, na autorizoni dhe na jepni mandatin ta përfaqësojmë revoltën tuaj dhe të mos u lëmë kusur gjykatësve të korruptuar, drejtorëve të korruptuar, partive të korruptuara, të gjitha atyre që rriten dhe fryhen me gjakun e ëndrrave dhe shpresave tuaja, gjithë atyre që ju tregojnë plane, platforma, ju tregojnë broçkulla dhe pastaj ju kthejnë kurrizin dhe shohin vetëm pjesën e tyre në tepsinë e pushtetit.
Sipas Kryeministrit, koalicionet qeveritare janë shkaktare të mosfunksionimit të shtetit, duke u shprehur se:
Kjo nuk është betejë e PS-së me partitë e tjera, kjo është një betejë që nesër shteti ynë të jetë dinjitoz për të gjithë fëmijët tanë. Nuk ka fitues zgjedhjesh që mund ta shembi këtë sistem nëse populli e lë në mëshirën e numrave në Parlament për të bërë koalicione që ju shikoni, që duket në tv, por ajo që nuk duket është turpi i këtij vendi.