Në lulishten tek ish-Parku i Autobuzave do të ndërtohet një kompleks banimi dhe shërbimi. Kompleksi sipas dokumentit të VNM-së do të ketë 2 kulla 11 katëshe, 2 kulla 10 katëshe, një ndërtesë 2 katëshe dhe dy kate parkimi nëntokësor. Leja e ndërtimit u miratua më 2 shkurt 2017 nga kryebashkiaku Veliaj.
Pas tre ditë protesta të banorëve, gjatë të cilave u dhunuan dhe ndaluan 4 aktivistë, po ndiqen penalisht 11 banorë, dhe pas akuzave të ndërsjellta të palëve politike, më në fund reagoi edhe një përfaqësues i Bashkisë.
Nenkryetari i Bashkisë Tiranë Mazniku në një postim në faqen e tij në Facebook u shpreh se:
Toka është pronë private e familjes Nela, dhe ligji (qe prej Saliut – Foto 4), e përcakton qartë, që nëse një subjekt aplikon për leje ndërtimi, dhe kërkesa është në përputhje me planin, Bashkia është e detyruar ta miratojë lejen brenda 60 ditëve, ose në të kundërt, leja miratohet në heshtje dhe administrata e Bashkisë shkon për ndjekje penale.
E vetmja rrugë ishte të maksimizonim përfitmin publik, nga kjo situatë.
Në zonë që do të zhvillohet, në përfundim do të ketë 11.500m2 hapësire të gjelbër dhe rekreative – PUBLIKE. Zona që Luli, Dhendri dhe Kunati quajnë lulishte, është 12.000m2. Pra thuajse nuk humbim hapsire duke qene se lirohet dhe hapesira tek Policia Bashkiake pas zhvillimit.
Përtej gjuhës së padenjë për një zyrtar shteti, Zoti Mazniku detyrimin ai e ka ndaj qytetarëve të cilët po protestojnë dhe po dhunohen nga policia prej disa ditësh. Në vend që të takohet dhe të sqarohet me ta Zoti Mazniku zgjedh t’i injorojë ata dhe të merret me lojra politike.
Mbi të gjtiha, Bashkia duhet të sqarojë pse qytetarët nuk janë përfshirë në vendimarrje sikurse parashikohet nga Konventa Aarhus dhe nga ligjet e shtetit. Ose firma ndërtuese ka fallsifikuar dëgjesën publike ose Bashkia ka miratuar lejen e ndërtimit pa dëgjesën publike. Të dyja rastet janë vepra penale.
Së fundmi duhet sqaruar se Bashkia nuk është e detyruar të japi leje ndërtimi edhe nëse zona është e përfshirë në masterplan si zonë ndërtimi. Sepse ndryshe nga çfarë thotë Zoti Mazniku, masterplani jep përcaktime e përgjithshme dhe kufizimet zhvillimore dhe për të arritur deri tek leja duhet të hartohet dhe miratuar nga Bashkia Plani i Detajuar Vendor (PDV) si dhe projekti i ndërtimit. Këto procedurat e fundit Bashkia dhe firma e ndërtimit i kanë kryer në shkelje të ligjit.