Rama e Veliaj, fshehin betonizimin duke gënjyer me hapësirat e gjelbërta ekzistuese

Rama e Veliaj, fshehin betonizimin duke gënjyer me hapësirat e gjelbërta ekzistuese

Në të njejtën ditë kur qytetarët e Tiranës do të protestojnë kundër betonizimit të hapësirave të gjelbërta, Kryeministri Edi Rama dhe Erion Veliaj reklamoi hapësira publike që ekzistojnë prej shumë vitesh si vepra të tyre në dy vitet e fundit.

Mëngjesin e sotëm Kryeministri Rama publikoi në profilin e tij në Facebook, një video të lulishtes pranë Katedrales Ortodokse, duke e shoqëruar me komentin:

“…ju uroj një ditë të mbarë me këtë hapësirë dikur të bllokuar e rrethuar, sot një lulishte dhe frymëmarrje më shumë për qytetarët e Tiranës.”

Në fakt, hapësira pranë Kishës Ortodokse ka qenë gjithnjë e gjelbëruar. Ajo qëndroi e rrethuar nga viti 2005 deri në vitin 2012 për shkak të ndërtimit të godinës së kishës dhe me inagurimin e kishës hapësira ju kthye sërish publikut. Punimet për rinovimin e lulishtes të bëra në vitin 2013 nga Qeveria Rama janë minimale dhe nuk kanë shtuar asnjë centimetër sipërfaqe të gjelbërt.

Postimi i Kryeministrit duket se është pjesë e propagandës për të kontrolluar opinionin dhe reagimin publik pas një tjetër projekti që kthen hapësirat e gjelbërta në ndërtime.

Kthimi i një pjesë të lulishtes tek parku i autobuzave në Tiranë në një kompleks të madh banues-tregtar ka ngjallur kundërshti të mëdha tek qytetarët.

Por duket se edhe Kryebashkiaku Veliaj ka zgjedhur të mos ballafaqohet me banorët, por të “inagurojë” hapësira ekzistuese të gjelbërta. Në këto “inagurime” ai po ndihmohet me propagandë nga Kryeministri Rama.

Dje, Zoti Veliaj së bashku me përfaqësues të kompanisë Tring, inaguruan këndin e lojrave pranë stadiumit “Selman Stërmasi” në njësinë 5. Sipas tij, ky është këndi i 18-të i lojrave që hapet në Tiranë. Por njësoj si në rastin e lulishtes së Kryeministrit Rama,  kryebashkiaku Veliaj “inaguroi” një mjedis që dhe më parë ka pasur të njëjtin funksion: lulishte me fusha sportive dhe lojra për fëmijë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>