Dy javë më parë isha në Prizren (Kosovë), për Doku-Fest (Festivali Ndërkombëtarë filmit dokumentar dhe filmit të shkurtër), ku u prezantua, për herë të parë, doku-filmi “Doda- The Life and Adventures of Franz Baron Nopsca”, Maqedoni 2016, e regjizorit Visar Vishka, shqiptar i Maqedonisë, në të cilin mora pjesë aktivisht sepse një pjesë e xhirimeve u filmuan në qytetin tim Trieste. Filmi dokumentar trajton historinë e Kongresit Shqiptar të vitit 1913.
Për arsye personale, nuk mund të qendroja shumë gjatë larg Italisë, ndaj udhëtimi ishte shumë i shkurtër.
Duke dalë nga salla e projektimit, në Shtëpin e Kulturës, Visari më tregoi katalogun e festivalit, të cilin, ndërmjet shumë gjërave urgjente, munda ta shfletoja vetëm kur ndodhesha në avionin e linjës Adria Airways, nga Prishtina në Lubjanë, dhe nga atje për të arritur – përmes autostradës— në Trieste.
I dhashë një vështrim të shpejtë, ashtu siç ndodh në të tilla raste, duke i premtuar vetes se do ta lexoja më me kujdes sapo të arrija të gjeja gjysëm ore kohë të lirë, që domethënë….. kurrë më.
Sidoqoftë, pata kohën për të kuptuar se ai festival, në të cilin unë kisha mundur të kapja vetëm një pjesë të vogël nga e pafundmja, pra vetëm një xhirim, ishte me të vërtete “diçka e madhe”: 256 vepra të ndryshme, në 14 vende xhirimi të ndryshme, të artikuluara në nëntë ditë.
Katër faqet e fundit përmbanin emrat dhe vendin e 72 sponsorave, ndër to, 30 institucione të qeverisë kosovare, agjensi të ndryshme amerikane, banka, kompani makinash, kompani birrash, dhe madhështi të tjera, sigurisht që binin në sy, edhe emrat e 10 ambasadave.
Nuk i di me saktësi se sa ambasada të huaja ndodhen në Kosovë, por mendoj se 10 ambasadat përfaqësojnë të gjitha, madje, edhe mund t’i listojë, madje, do ta bëj patjetër.
Për aq shpejt sa i shfeltova ato katër faqe, me zemrën në gojë, dhe i kontrollova për të dytën, të tretën herë, ajo që ishte e sigurtë, fatkeqësisht, ishte që mungonim ne — që të kuptohemi qartë — mungonte Ambasada e Italisë në Prishtinë.
Nuk jam në gjendje t’ju them si dhe pse.
Sigurisht, është një institucion që ka ndonjë problem me menaxhimin e postës elektronike, sikurse mu desh ta vërtetoja në mënyrë të hidhur në kurrizin tim, vitin e shkuar, kur ndodhesha në Prishtinë për të prezantuar librin tim në Bibliotekën Kombëtare; por në një vit, disa probleme, nëse ekziston dëshira e mirë, mund të zgjidhen.
Fakti është se që ylli jonë shumë i bukur, ai që na ndihmon gjithmonë ndoshta në minutën e fundit, nuk ishte.
Si italian, mu desh të hiqja turpin për kushedi të satën herë.
I thashë vetes: jam edhe europian! Në fakt, fluturoj në një avion të kompanisë me flamur slloven (sepse e jona—nëse ende e kemi një të tillë — nuk i hedh sytë disa kryeqyteteve “të vogla”), në të cilin flitej sllovenisht, anglisht dhe shqip; dhe sërish, falë prindërve të mi dhe eksperiencave të jetës dhe punës, ia dola mbanë.
Një mbiemër gjerman, që e mbaj me vete që nga lindja, më ka ndihmuar të shkrihem; më mirë akoma, duke fshehur fytyrën pas faqeve të “Dnevnik”, e përditshmja e Lubjanës, një kopje e shpërndarë falas, duke u shtirur se kuptoja slllovenisht, gjuhë që në fëmijëri, pak vite pas mbarimit të luftës dhe të “40 ditëve të Titos”, kisha mësuar që ishte më mirë ta shmangia.
E gjitha kjo që askush të mos e kuptonte që isha italian— fatkeqësisht— jam italian.
Një italian i vërtetë