Borxhi i lartë publik, rritja e kredive të këqija dhe mungesa e investimeve të reja të huaja janë problemet kryesore të ekonomisë në Shqipëri.
Në raportin e përvitshëm, Moody’s, agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të riskut të kreditimi të ekonomive, vlerëson me të njëjtën notë B1 Shqipërinë si një vit më parë. Vlerësimi B1 është zakonisht vlerësimi më i ulët i sigurisë, por që tregon një nivel relativisht të qëndrueshëm të vendit.
Disa nga përfundimet kryesore të raportit janë:
- Vlerësohet nisma dhe përparimi në konsolidimin fiskal dhe reformat strukturore, nismë kjo e mbështetur nga Fondi Ndërkombëtar Monetar.
- Rreziku se Investimet e Huaja Direkte do të ulen në vitet në vazhdim është i madh. Aktualisht është projekti TAP ai që zë pjesën kryesore të IHD-ve, por me mbarimin e tij në 2018-ën, bëhët urgjente tërheqja e IHD-ve të reja.
- Barra e borxhit publik është ende e lartë, megjithëse ka pësuar rënie, ai vazhdon të jetë mbi 70 për qind tëProduktit të Brendshëm Bruto.
- Kreditë e këqija (NPL) vazhdojnë të zënë shumë vend në grupin e kredive. Në fund të vitit 2016, kreditë e këqija zinin 18,3 për qind të kredive. Më shumë se gjysma e kredive janë të shprehura në monedhë të huaj, duke rritur edhe më tej shqetësimin.
- Niveli i lartë i kredive të këqija ul besueshmërinë e bankave, pengon kreditimin dhe kufizon rimëkëmbjen ekonomike.
- Shqipëria, pavarësisht progresit, vazhdon të përballet me rreziqe fiskale, veçanërisht në sektorin e energjisë elektrike për shkak të ekspozimit ndaj kushteve të këqija të motit që mund të çojnë në importe të kushtueshme të energjisë.