John Urschel, lojtar i Baltimore Ravens në kampionatin e fubollit amerikan, ka qënë student doktorature ndërkohë që ishte lojtar profesionist. Këto ditë u mësua se sezonin e shkuar, 2016-2017, ndërkohë që luante si sportist profesionist, ai kryente studimet e vitit të parë të doktoraturës në matematikë në MIT, universiteti më i mirë për matematikë në SHBA dhe ndoshta në botë.
Këtë fakt ai e mbajti për më shumë se një vit të fshehtë nga trajneri dhe shokët e ekipit duke bërë kështu një jetë të dyfishtë. Ai rregulloi me universitetin që të mos i ndiqte leksionet në auditor por të studionte individualisht leksionet e shkruara dhe literaturën e nevojshme. Sidoqoftë ai ishte i detyruar të bënte rregullisht të gjitha detyrat dhe punimet e kursit.
Por duket se ngarkesa e madhe e vështirësoi aq shumë jetën e Urschel sa në korrik të këtij viti ai vendosi që të tërhiqej nga sporti për t’ju përkushtuar tërësisht studimeve dhe matematikës. Vetëm pas tërheqjes, Urchel bëri publik faktin që kishte bërë jetë të dyfishtë për më shumë se një vit.
Është shembull i rrallë në SHBA, por jo aq i rrallë në Shqipëri. Shumë politikanë, gazetarë, artistë, madje edhe biznesmenë shqiptarë, pasioni për dijen dhe hulumtimin shkencor i ka çuar drejt kryerjes së doktoraturës, ndërkohë që kanë punuar çdo ditë me kohë të plotë.
Dy rastet ndoshta më të bujshme janë ato të ish-kryeparlamentares Jozefina Topalli dhe kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi. Të dyja—duke qenë deputete, madje Topalli edhe drejtuese e Kuvendit—nuk hoqën dorë nga pasioni i tyre për shkencën, ndaj filluan dhe përfunduan doktoraturën, respektivisht në shkenca juridike dhe shkenca menaxheriale, në Universitetin e Tiranës.
Sapo u zgjodh në krye të parlamentit, Zonja Topalli iu përkushtua njëkohësisht akademisë. Fillimisht, ajo kreu studimet e nivelit master për Studime Europiane, në Universitetin e Tiranës. Ndërsa në vitin 2010, ajo u regjistrua dhe përfundoi në pak muaj, pra po në vitin 2010, studimet e doktoraturës në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës.
Ata që e njohin nga afër, tregojnë se Topalli ka qenë aq e fiksuar pas doktoraturës, sa edhe kur udhëtonte jashtë vendit, gjithmonë merrte me vete librat e shkollës dhe e gdhinte duke studiuar për të përmbushur detyrimet si studente.
Punimi i doktoraturës i Zonjës Topalli, Roli i Parlamentit Kombëtar në Proçesin e Integrimit në BE, me udhëheqës shkencor Kryetarin e Gjykatës së Lartë Prof. Dr. Xhezair Zaganjori, konsiderohet gjërësisht si një kontribut i vyer jo vetëm në fushën e studimeve europiane, por edhe në doktrinën e jurisprudencës shqiptare.
Edhe Zonja Kryemadhi u regjistrua në studimet e doktoraturës pak pasi u zgjodh deputete në vitin 2013 dhe i përfundoi ato gjatë kohës që ishte deputete, në vitin 2016. Punimi i saj i doktoraturës, Analiza e Sistemit të Sigurimeve Shoqërore nga Këndvështrimi Juridik dhe Ekonomik, ka hedhur në Shqipëri themelet e fushës shkencore Ligji dhe Ekonomia (Law and Economics), një fushë e konsoliduar e dijes në botë, e cila ndërthur ligjin me ekonominë, por krejtësisht e panjohur në Shqipëri.