Duke e shëtitur veten gjatë mbrëmjes disa rrugëve të qytetit pa identitet të Bolonjës u ndjeva krenar për vendin tim. Po, po, pasi nuk e konceptoj dot se si një qytet mund të jetë kaq i pafytyrë, sa të kujdeset me shumë profesionalizëm dhe për më tepër nën udhëheqjen e grupeve të duhura që gjoja marrin vesh nga restaurimi, për disa ndërtesa më pa histori që nga shekulli XII. Kot, pa lidhje.
Ato të prishen, nuk duhen. Ç’i doni o njerëz që keni ngel pas dhe nuk zhvilloheni me hapin e kohës?
Ndërkohë, ecja dhe ç’të shihje! Ishin ndërtuar godina edhe më të reja, pra, pas shekullit XV, gjoja në harmoni me njëra-tjetrën dhe të ofronin një peisazh gati natyror, thjesht moment qetësie, paqeje.
Ua! tmerr mërzitshëm! Kulmi ishte sepse vura re që kishin restauruar çdo portë druri hyrëse të këtyre ndërtesave. Po si i kishin bërë, thuaj?! Me një mjeshtëri prej budallai, gati gati identike, fiksimaxhinj.
Jo, mendova, këta nuk janë në realitetin e standardeve dhe më duhet t’i ftoj në vendim tim për t’u arsimuar duke punuar në institucionet më në zë, të “hit parade-it” kombëtar, të MOStrashëgimisë Kulturore, gjithmonë nëse plotëson kriteret e TRAP-it… ndjesë të DAP-it, nëse ky i fundit kupton gjë tjetër veç pjesës Trash(u).
Duhet të mësoni si fillim historinë e vendit tonë. S’po iki larg… këtu afër ku Austro-Hungaria bëri përpjekjet e para për krijimin e një imazhi apo kulture perëndimore në këtë vend. Si, s’e kishe dëgjuar më parë?! S’ke parë asgjë nga ata?! Po pse o italian, injorantë jemi ne të merremi me vjeturina kot? Të ruajmë dhe të studiojmë mentalitetin apo kulturën e Arkitekturës, aq sa ka qënë, si Kroacia apo Austria?! Injorancë, punë kot, prishe. Pra nëse ndërton Italia fashiste Bashki…. ne e prishim, bëjmë muze… nëse ke Pazarin e vjetër (jo vetëm) ne e prishim, bëjmë Rusi moderne, nëse ke Kisha i zhdukim, nëse ke Ura, s’i duam, dimë të notojmë, (u pika, pika, që u mbytshim) etj…. etj…
Por rëndësi ka ç’thotë i madhi, “s’keni parë gjë akoma”, jo ju që gjoja dini se si bëhet pasi mburreni që ju keni histori-ra, keni studiuar-a, keni një jetë që punoni-a…. Problemi s’përfundon këtu, e po ç’t’ju them. Nëse vazhdoni të jeni në punë se kështu ka vendos I GJATI… ndjesë DAP-i do kuptoni se histori nuk ka, dhe nuk duhet të ketë… pra… nëse perëndesha hyjnore e kulturës tonë KAQ TË VARFËR, e nderuara Zonja Kumbaroja do t’ju propozojë me mjeshtëri se, pavarësisht se ke Gjirokastër, ty të të mjafton të bojatiset pazari dhe në pjesën tjetër bëjmë ByPass, nëse ke Berat, ty të të mjafton që kalon akoma mbi Ur t’Goricës, pjesa tjetër sajohet me rrëshkitje dherash, nëse ke Krujë, ty të të mjafton që ka tjegulla dhe Pazar, e jo Kala me qera… etj… etj…
Të dashur Italianë, nuk shtojmë ndërtesa të shëmtuara të shekullit zero, kot në listë. Ska vend… E ç’rëndësi ka nëse është e kohës Turkut, Austriakut, Italianit, Komunizmit, nuk ka vend në listë. Ore kupton që nëse është në listë ne e heqim? Ç’e do? Ansambēl historik me vlera urbanistiko-arkitektonike Sheshi Nënë Tereza? Po jo o njëri i mirë, sepse vjen Papa juaj, ne gërryej fasadë sa për fasadë, vjen arkitekti juaj, ne prish stadium me gjithë fasadë.
Se mos harron, ç’thotë i madhi, nuk ia falin vetes ai dhe ajo të bëhet populli i tyre, me kulturë të prekshme historike, jo teorike… nuk ka rëndësi që gjysma e Beratit shpejt do bjerë për herë të dytë pas Skëndërbeut… nuk kanë vlera historike banesat e Gjirokastrës që përpara 40-50 vjetësh ishin më me vlerë dhe sot tashmë janë vjetëruar shumë sa i nxjerrim në ankand për t’u prish… nuk ka problem nëse ndërton në kalanë e Shkodrës, Lezhës, Durrësit, Elbasanit… Mos harro të betonosh Kalanë e Tiranës, nuk ka rëndësi nëse Fierit i qofshim falë për Apolloninë, të cilën aq sa dhe si ishte, e shpërfytyruam… Po Shkodrën apo Fierin e Austrisë, 6 urat e tij, vilat…?
Nuk ka rëndësi që Pazarin e Korçës e kthyem në muze fantazëm, ka shumë interes Pazari i ri në Tiranë për imobiliare pasi rrisim çmimet e bizneseve apo banesave, nuk vlejnë o njëri vilat e ndërtuara në Tiranë që nga shekujt XVII-XVIII, madje të trajtuara edhe me elementë të Arkitektures Orientale të pa përsëritshme… Ja pse nuk na duhet që të kërkojmë përfshirjen në listën e mbrojtjes ndërkombëtare pasi kemi sedër ne, s’kemi pse flliqemi me vlera të sajuara…
Ej o Italian, ka shumë më shumë se kaq prandaj përgatitu të trajnohesh për Misionin E Zhdukjes Së Trashëgimisë Kulturore në Shqipëri. Mos, si harrova! Po si ka mundësi të realizoni në qytetin pa kulturë, impianistikën në rrugë me kalldrëm të Shekullit XII, duke hequr, pastruar, restauruar dhe vendosur sërish në vend të çdo gur!…. Ju qofshi!…
Pse kryetari juaj i bashkisë nuk ka fabrikë betoni? Po bëjini beton o njërëz sic bëjmë ne tek Kalaja e Durrësit me Arkitekt Italian madje… Veliera… e quan autori i veprës kriminale dhe pronari i Bashkisë Zoti Ça Bone Mer Dak, gjej mure, betonoji… gjej topa, bjeri me top… zhduki shpejt, betonoji shpejt se na sheh Europa dhe kopjon… ëhë s’është aq kollaj ore… Po për Lali Lekun s’të kam fol fare unë? Mos!
Është kënaqësi të punosh me Madhërinë e tij, Shkëlqesinë e tij Zoti Fiku, pasi do të kuptosh vlerën e ruajtjes së Tiranës së tij të fiqve POR tashmë fiq s’ka pasi s’ka pemë, pasi s’ka tokë, pasi Lali Lekun e mbulon Leku i planit Rregullues ku nuk la shesh, tokë pa bërë kullë për atin e tij pasi i detyrohet për trashgiminë, për trashgiminë jo kulturore, i dashur, por karrige-ore dhe sigurisht plotëson raportet e lartësisë së tij, etj. etj.
Pra i nderuar ti, o njëri i ardhur nga një histori me vlera të stisura italiane, të uroj mbarështim në xhunglën e drejtuar nga shtazë profesionistësh në vendin e quajtur Shqipëri, ku kupton që qyteti i ndyrë, i lënë pas në kohë, Bolonja duhet të reagojë. Të nxisë, të motivojë patjetër me argumentet e zhvillimit të modernizmit të shekullit “Shëmbi”, që kështu si motrat e saj të fshijë të kaluarën e errët e disa vlerave të paqëna. Pak rëndësi ka çfarë përbërësish ka pisllëku, krenar me kokën lart, jam Shqiptar.