Portali Aktiv për Durrësin i bënë thirrje qytetarëve të mblidhen sot në 12:30 përpara Gjykatës së Durrësit, për të pritur nëse do të fillojnë ose jo hetimet mbi ndërtimin e sheshit “Veliera”.
Gjykata e rrethit Durrës pezulloi në mars 2017 punimet për rikualifikimin urban të sheshit Veliera. Vendimi i gjykatës vjen pas kërkesës së Prokurorisë për pezullimin e plotë të punimeve.
Në 16 shkurt, Gjykata Administrative vendosi ndërprerjen e pjesshme të punimeve me arsyetimin se gjatë gërmimëve janë gjetur themelet e një ndërtese Mijëra vjeçare bizantine. Por, në shkelje të këtij vendimi, Bashkia Durrës vazhdoi me punimet në sheshin Veliera, duke betonizuar zonën ku u gjendën themelet e një ndërtese mijëra vjeçare.
Punimet në shesh kanë nisur në nëntor të vitit 2016. Në qendër të projektit është një velë gjigante betoni me sipërfaqe prej 200 metra katrorë.
Në një artikull të publikuar më 3 shkurt, Exit.al ngrinte shqetësimin se punimet për ndërtimin e veles prej betoni do të shkatërronin trashëgiminë kulturore të qytetit.