Prokuroria e Lezhës ka sekuestruar 285 mijë metra katrorë tokë në zonën e Ranës së Hedhun, në Lezhë. Sipërfaqja e tokës, e ndarë në pesë parcela dhe e regjistruar në emër të pjestarëve të familjeve Gjini, Frroku dhe Tinaj, dyshohet se është marrë në mënyrë të paligjshme.
Hetimi i prokurorisë ka nisur pas padisë së një personi i cili pretendon se prona e tij është regjistruar në emër të personave të tjerë.
Sipas prokurorisë personat të cilët e kanë përfituar tokën sipas ligjit 7501/1991 për tokën kanë kryer një sërë shkeljesh, të tilla si:
Ata nuk bëjnë pjesë tek familjet që ishin anëtare të ish kooperativave bujqësore të kësaj zone, të përfshira nga ligji I tokës 7501/1991.
Ata kanë ndryshuar në mënyrë të paligjshme zërin kadestral të tokës nga tokë pyjore — e përjashtuar nga ndarja e tokës sipas ligjit 7501— në tokë bujqësore.
Prona është regjistruar në hipotekë gjatë dy muajve të fundit, pas vendimit të Bashkisë dhe Qarkut Lezhë për ndryshim të destinacionit të tokës.