Kryeministri Rama dhe Kryebashkiaku Veliaj duket se kanë miratuar një plan për ndërtime në territorin që sot zihet nga Garda e Republikës. Pak ditë më parë, gjatë një interviste televizive, Zoti Veliaj deklaroi se ai e ka përzgjedhur projektin për hyrjen e Parkut të Liqenit dhe se projekti përmban vetëm një godinë.
Pa dhënë sqarime për proçedurën e përzgjedhjes apo për emrin dhe projektin e plotë të studios fituese, Zoti Veliaj u mjaftua duke thënë se “vendimi që morëm është i drejtë.”
Projekti duket se është miratuar në fshehtësi pasi nuk është bërë publik asnjë detaj dhe as kush nuk jep informacione rreth tij, përfshi elementët e ndërtesës, koston, burimin e financimit, ndërtuesin, etj.
Në pranverë të këtij viti, qeveria çeli, pa bërë asnjë njoftim publik, konkursin për hyrjen e Parkut të Liqenit. Në të paraqitën propozimet e tyre nëntë studio shqiptare dhe të huaja. Këto projekte iu nënshtruan vlerësimit nga një juri me nëntë personalitete të arkitekturës, në muajin korrik.
Por bërja publike e qëllimit të qeverisë për të ndërtuar në një nga zonat më të rëndësishme të parkut të Liqenit ngjalli revoltim të qytetarëve. Nga ky presion publik, qeveria e shtyu konkursin për në shtator. Por, në shtator asgjë nuk u bë publike.
Befas, Zoti Veliaj zbulon që qeveria ndërkohë paska vendosur, larg vemendjes së publikut, për një projekt ndërtimi.