A po luan Turqia kartën e islamit në Shqipëri?

A po luan Turqia kartën e islamit në Shqipëri?

Gazetarja Katarina Anđelković, në një shkrim për median European Western Balkans, flet për ndikimin që Turqia po ushtron mbi Shqipërinë, veçanërisht përmes fesë islame.

Ndër të tjera, gazetarja shkruan:

“Me rënien e komunizmit në Shqipëri, Turqia u shfaq  si një faktor i rëndësishëm për të ndikuar në tranzicionin e Shqipërisë nga një diktaturë totalitare në një regjim pluralist demokratik. Qëllimi i politikës së jashtme të Turqisë ndaj Ballkanit, përveç sigurimit të stabilitetit dhe sigurisë së rajonit, ishte krijimi dhe forcimi i lidhjeve ekonomike dhe kulturore.

Duke u mbështetur në retorikën e “kulturës së përbashkët me Ballkanin”, Turqia, nën sundimin e Tayyip Erdogan, ka rritur dukshëm praninë e saj në Ballkan, veçanërisht në rajonet me shumicë myslimane, duke ushqyer kështu ndjenjat muslimane të njerëzve që ishin zhveshur nga identiteti fetar gjatë komunizmit.

Lulëzimi i identiteteve fetare dhe identifikimi i fortë me një fe të caktuar mund të jenë në kundërshtim me një identitet kombëtar jofetar të shqiptarëve.

Një shembull i kësaj kontradikte ishte festimi i fundit i Kurban Bajramit në sheshin qendror Skënderbej në Tiranë, ku monumenti i heroit kombëtar shqiptar u rrethua nga ekranet gjigante të vendosura nga Komuniteti islam në Shqipëri, duke mbuluar kështu monumentin e një njeriu që, sipas disa prej shqiptarëve muslimanë, simbolizon jo vetëm luftën kundër osmanëve, por luftën e pamëshirshme kundër  fesë islame.

Fakt interesant: vetëm një ditë para ngjarjes, kryeministri shqiptar Edi Rama njoftoi se viti 2018 do të jetë “Viti i Skënderbeut”, meqë shënon 550 vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar.

Përveç përfshirjes së vazhdueshme ekonomike të Turqisë në Shqipëri dhe rritjes së interesit strategjik të saj, – një nga projektet turke më të fundit është ndërtimi i një aeroporti në qytetin e Vlorës, i dyti më i madh në vend – depërtimi kulturor i Turqisë duhet shqyrtuar më thellë.

Feja u përdor si aset i rëndësishëm nga Turqia  për të ndërtuar qasjen të cilën Turqia do të përdorte për të përtërirë politikën e jashtme në Ballkan. Si një vend që e kishte shtypur praktikimin e fesë për pothuajse gjysmë shekulli, Shqipëria, që nga momenti që “u hap” në botë, u perceptua si një tokë pjellore për një numër organizatash me pikëpamje islame.

Përpjekja për të riformuar vendin përgjatë vijave fetare u intensifikua pas pranimit të Shqipërisë në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik më 1992. Presidenca turke e punëve fetare (Diyanet) filloi të angazhohej me shumë  në komunitetet muslimane në Ballkan gjatë viteve 1990, duke ofruar arsimimi fetar falas, si dhe ndërtimin apo rinovimin e xhamive, ndër të tjera duke marrë dhe rolin e “udhëheqësit” të komuniteteve myslimane si në Shqipëri dhe në rajon.

Me kapitalizimin e islamit dhe afrimin kulturor, Turqia mbetet një nga faktorët më me ndikim në Shqipëri, së bashku me SHBA dhe BE. Një numër intelektualësh shqiptarë kanë qenë të shqetësuar për ndikimin në rritje të Turqisë në rajon. Për shembull, Pirro Misha vëren se ndikimi kryesor i Turqisë mund të jetë një element i ambicjeve gjithnjë e më shumë në rritje të ndërhyrjes së Ankarasë në politikë dhe ekonomi në Ballkan, gjë që mund të dëmtojë aspiratat evropiane të rajonit. Megjithëse nuk ka të ngjarë që ndikimi në rritje i Turqisë dhe rritja e përkatësive fetare do ta ndajnë kombin në baza fetare, duhet të merren parasysh disa tregues. Një shembull i kësaj “hale” të mundshme për grindje ishte festimi fetar që përmendëm më lart në kryeqytetin shqiptar.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>