Në Shkodër, për të festuar ndeshjen e parë të kombëtares italiane të futbollit që nuk kishte luajtur kurrë më parë në Shqipëri, Ambasada e Italisë organizoi, në bashkëpunim me dy federatat kombëtare të futbollit, një ekspozitë me katër kupat botërore të futbollit që Italia ka fituar në vitet 1934, 1938, 1982 dhe 2004.
Dy nga kupat e ekspozuara—ajo e viti 1934 dhe 1938—ishin kopje, sepse para vitit 1970 kupa e botës, e quajtur Kupa Rime, i dorëzohej fituesit pasues sepse rregulli ishte që atë mund ta mbante përgjithmonë ekipi që do fitonte i pari tre kampionate botërore. Kupën Rime e fitoi përfundimisht Brazili, kur triumfoi për herë të tretë në finalen e botërorit në vitin 1970, pikërisht kundër Italisë. Paskësaj, kupa e botës prodhohet çdo herë dhe ekipi fitues e mban përgjithmonë.
Ekspozita në Teatrin Migjeni, përveç pak kureshtarëve, u vizitua edhe nga Kryeministri Rama, ish-Kryeministri Fatos Nano, i shtyrë nga pasioni i tij i vjetër për futbollin, apo ndoshta për mirësjellje institucionale.
Ekspozita e katër kupave, e reklamuar si një ngjarje shumë e rëndësishme, në të vërtet dukej si një përpjekje qesharake për t’i treguar edhe një herë shqiptarëve, ose të paktën qytetarëve të Shkodrës, që Italia është një vend i madh, fuqi botërore, kur në të vërtet sot në Shqipëri Italia shihet në mënyrë krejtësisht tjetër.
Në fakt, kur filloi tranzicioni i përjetshëm shqiptar drejt botës së lirë, Italia ishte vendi i parë në konsideratën e popullit shqiptar dhe qeverive të ndryshme shqiptar—ishte vëllai i madh i mbajtur larg nga historia mizore, ishte nëna që gjente gjithmonë diçka për të ushqyer fëmijët e saj, ishte ëndrra televizive e një jete tjetër.
Për shumë u bë atdheu i dytë, porti i sigurt, zbarkimi i përjetshëm i një populli përjetësisht në arrati—toka e qytetërimit, e zhvillimit, e shkencës, e kulturës, sikurse dëshmonin tregimet e pleqve dhe veprat e lëna pas nga italianët gjatë periudhës së perandorisë të cialt ishin të dukshme për të gjithë.
Edhe qeveria shqiptare, e mbushur me ish-komunistë, vazhdonte të tregohej kokëfortë me Italinë, më shumë për pazare që të përfitonte sa më shumë se sa për qendrime kulturore, dhe shumë argumenta e ankesa mbi dëmet e shkaktuara nga fashizmi në Shqipëri nuk ishin asgjë më shumë se sa justifikime për të rritur çmimin e negociatave dukshëm të pabarabarta.
Por Italia perandorake nuk është dhe nuk mund të jetë më, ndaj ajo e nisi praninë e re në Shqipëri në vitin 1991 me një mison ushtarak për të shpërndarë ndihma ushqimore, por nga ushtarakë të çarmatosur me dashje “për të mos fyer ndjeshmërinë vendase” dhe të shoqëruar nga ushtarakë shqiptarë, të armatosur por pa municion.
Që nga atëherë Italia ka vazhduar të tregohet tolerante dhe e dobët kundrejt ngacmimeve të qeverive të ndryshme në Shqipëri, gjithmonë të lumtura nga zbulimi i faktit se me italianët mund të negociohej—duke nënkuptuar me “negocim” mënyrën ballkanike të kushtëzimit, por asnjëherë drejtpërdrejtë, të zgjedhjeve të tjetrit në shërbim të qëllimeve vetjake. Mburrja e dikurshme burrërore fashiste i kishte lënë vendin bashkëpunimit mëmësor dhe të krishter, që nuk gjykon por fal.
Pas tyre erdhën burokratët italinë të cilët lëshonin ndonjë vizë, dhe kërkonin të ngriheshin në rolin e mëkëmbësit të mbretit. Në fund erdhi kolona e ruajtësve të paqes dhe të demokracisë, një mizëri aventurierësh, publikë e privatë, në kërkim të një vendi me diell, të fatit të shpejtë, të rilegjitimimit shoqëror, mish për bordollo të kthyer në mish për top.
Në këtë mënyrë, Italia, bashkë më të populli i thjeshtë shqiptar, humbi betejën e tranzicionit shqiptar, duke u kthyer në një lopë për t’u mjelë, në bankomat të nevojave të momentit, në farmacinë dhe spitalin e sigurt, kaq të sigurt sa është kthyer në një gjë normale, dhe si përfundim në një gjë pa asnjë interes, si një grua që mjafton t’i kërkosh dorën për të marrë.
Sot Italia dhe politika italiane ndaj Shqipërisë (nëse ka ende një të tillë) nuk ka më vlerë, ashtu sikur pak vlerë kanë sipërmarrjet italiane, dhe akoma më pak vlerë ka gjuha, kultura apo një diplomë italiane, tashmë e konsideruar si një relike, një zgjedhje e dytë, në krahasim me diplomat më të fuqishme britanike dhe amerikane.
Dhe pashmangëshmërisht mbërriti edhe stina e kupave, tërheqjeve të Italisë në shfaqje propagandistike për kapriciot e Kryeministrit shqiptar, tashmë i vetëdijshëm se mund t’ia lejojë vetes të mos përfillë kërkesat e justifikuara të qeverive italiane.
Dhe një Ambasadë italiane që tashmë përfaqëson vetëm veten dhe kërkon të prodhojë prestigj ose detyrojë respekt duke reklamuar fitoret e Duçes në një relike bajate komuniste të Shkodrës, ndërsa rruspat e Federatës Shqiptare të Futbollit, nën heshtjen e plotë të Ambasadës, shembën stadiumin ikonik të Tiranës, i cili ishte shumë më italian se kupat e ekspozuara.
Më pas ndeshja u zhvendos tek stadiumi i Shkodrës, dhe po të mos ishte për një gol rastësor të arbëreshit të radhës, Italia do të kishte bërë edhe një figurë të keqe.
Këtu, kjo Itali nuk tremb më askënd; dhe nga ky fakt duhet të trembemi të gjithë.