LSDM, partia e kryeministrit të Maqedonisë Zoran Zaev ka shpallur sot fitoren në zgjedhjet lokale të mbajtura më 15 tetor. LSDM, ende pa dalë rezultatet zyrtare, shprehet se në raundin e parë të zgjedhjeve, LSDM ka fituar në më shumë se 40 bashki nga 81 në total.
Zoran Zaev e quajti fitoren një “fitore të demokracisë” duke i dhënë mundësinë mbështetësve të tij të nisin festimet.
“Kjo është mënyra se si Maqedonia duket kur votimi është i lirë, paqësor dhe pa presione”, deklaroi Kryeministri Zaev.
Rezultatet e para zyrtare mbështesin pretendimet e Partisë SDSM. Me 30 për qind të 3,480 vendvotimeve të numëruara, koalicioni i SDSM udhëhiq në 44 bashki, përfshirë dhe në Shkup. Opozita, me në krye partinë e ish-kryeministrit Gruevski janë përpara në 13 bashki.
Sipas raportimeve zyrtare, pjesëmarrja në zgjedhje ishte rreth 60 për qind, nga 1,8 milion votues që ka Maqedonia.
Policia dhe Komisioni Zgjedhor thanë se votimi ishte kryesisht paqësor, megjithëse udhëheqësi i VMRO-DPMNE-së, ish-kryeministri Nikola Gruevski u ankua për parregullsi dhe tha se zgjedhjet “kaluan në një atmosferë jodemokratike dhe në kushte të padrejta”.
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dërgoi në Maqedoni më shumë se 300 vëzhgues. OSBE ende nuk ka komentuar gjetjet e saj.
Në raundin e parë të zgjedhjeve bashkiake morën pjesë 19 parti dhe koalicione. Kryetarët e bashkive do të vendosen vetëm pas raundit të dytë të votimit që do të zhvillohen më 29 tetor.
Zgjedhjet u konsideruan si provë për qeverinë e Kreymistrit Zaev pesë muaj pasi erdhi në pushtet pas një periudhe të zgjatur të paqëndrueshmërisë politike.