Rritja e tarifave gjyqësore shkel të drejtën kushtetuese të ankimimit

Rritja e tarifave gjyqësore shkel të drejtën kushtetuese të ankimimit

Rritja e tarifave gjyqësore e parashikuar në projektligjin “Për ndihmën juridike dhe tarifat gjyqësore” — i cili do të votohet sot në Kuvend— kufizon të drejtën kushtetuese të individit për t’u ankuar kundër vendimeve gjyqësore të dhëna ndaj tij.

Kjo e drejtë është sanksionuar në nenin 43 të Kushtetutës, i cili shprehet se “Kushdo ka të drejtë të ankohet kundër një vendimi gjyqësor në një gjykatë më të lartë, përveçse kur në Kushtetutë parashikohet ndryshe”.

Qeveria ka propozuar rritje të pajustifikuar dhe jopropocionale të tarifave. Kjo rritje cënon ushtrimin e të drejtës në praktikën kushtetuese për tu ankuar.

Kjo është ankesa kryesore e bërë nga shoqëria civile ndaj nenit 5, pika 3 të projektligjit “Për tarifat gjyqësore në Republikën e Shqipërisë”, e paraqitur në Kuvend më 20 tetor 2017.

Në komentet dhe rekomandimet e paraqitura nga shoqëria civile thuhet se:

Për gjykimin në Gjykatën e Lartë mund të caktohen tarifa më të larta në krahasim me gjykimin në apel (po asnjëherë në nivelet që aktualisht propozohen) pasi; […] e drejta e rekursit në Gjykatën e Lartë është kufizuar vetëm për shkaqe shumë specifike.

Pavarësisht se në relacionin e projektligjit shkruhet se qëllimi i tij është të vendosë një sistem të mirëpërcaktuar tarifash (i cili deri më tani nuk ekziston); të rrisë buxhetin e gjykatave; dhe të përmirësojë shërbimet — ekspertët e shoqërisë civile deklarojnë se “neni 5, pika 2 dhe 3 e projektligjit cënon sigurinë juridike, vendosja e kufirit të tarifave është rritur në mënyrë të pajustifikuar duke prekur interesin publik”.

Sipas ekspertëve shkeljet kryesore të projektligjit janë:

Tarifa gjyqësore për paraqitjen e ankimimit dhe rekursit do të jetë sa gjysma e vlerës së paguar për hapjen e gjykimit në shkallë të parë.

Kjo do të thotë se tarifa maksimale për hapjen e një procesi gjyqësorë do të jetë 20.000.000 lekë për tarifa maksimale për ankimim në gjykatat e apelit dhe rekurs në Gjykatën e Lartë për qytetarët do të jetë 10.000.000 lek.

Ndërsa aktualisht qytetari paguan një përqind të vlerës së padisë në shkallë të parë për hapje të procesit gjyqësorë dhe një pullë 200 lek për çdo ankimi dhe rekurs.

Rritja e tarifës së ankimimit dhe rekursit nga 200 lekë në 2000 lekë deri në 10.000.000 lekë nuk është proporcionale dhe prek interesin publik.

Rritja me 10 herë më shumë e tarifës gjyqësore për gjykimet në gjykatat e apelit dhe në Gjykatën e Lartë (jo më pak se 2000 lek dhe jo më lartë se 10.000.000 lekë në krahasim me 200 lek që është aktualisht) sjell kufizim të ankimit në këto gjykata.

Ky parashikim në projekt ligj sjell kufizim të së drejtës së ankimimit dhe të rekursit. Ndërkohë që procesi gjyqësor është një i vetëm dhe shqyrtimi në apel dhe në Gjykatë të Lartë, përbëjnë vetëm dy mjete të kontrollit të ligjshmërisë së vendimit të gjykatës më të ulët.

Vendosja e tarifës maksimale prej 20.000.000 lekë për hapjen e procesit gjyqësorë përbën një kufi maksimal shumë të lartë dhe të pajustifikuar.

Kjo tarifë është e papërballueshme për subjektet që i drejtohen gjykatës, duke cënuar parimin e proporcionalitetit, të drejtën kushtetuese dhe garancinë për akses në gjykatë në kuadrin e procesit të rregullt ligjor.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>