FMN shpreh shqetësim për politikat ekonomike të qeverisë

FMN shpreh shqetësim për politikat ekonomike të qeverisë

Në një intervistë për revistën Monitor, Jense Reinke, përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri, ka shprehur sërish shqetësim mbi paketën fiskale 2018. Ndër të tjera, ai theksoi se mungesa e investimeve të huaja direkte është një ndër arsyet për uljen nga FMN të parashikimit për rritjen ekonomike të vendit në vitin 2018. Sipas FMN-së vitin e ardhshëm rritja ekonomike pritet të jetë 3,7 për qind dhe jo 4,1 për qind sa ishte parashikimi i mëparshëm i saj.

Në lidhje me ndryshimet e reja fiskale, Reinke shprehu shqetësimin e FMN-së për uljen e pragut të TVSH-së për biznesin e vogël dhe për trajtimin preferencial për hotelet me 4 dhe 5 yje, duke thënë se ato minojnë principin e barazisë së sistemit fiskal.

Në veçanti FMN ka këmbëngulur tek qeveria për të mos e ulur pragun e TVSH-së për biznesin e vogël, sepse ajo do ketë pak ndikim në rritjen e të ardhurave fiskale, ndërkohë që do të vështirësojë detyrat e zyrave të taksave dhe do të nxisë evazionin fiskal, pērveç se do të sjellë rritje të kostos për biznesin. Por qeveria zgjodhi të ndjekë interesin e biznesit të madh.

Reinke nënvijëzoi se duhet të shmangen ndryshimet e shpeshta të politikës fiskale, sepse ato krijonë vështirësi për zyrat e tatim-taksave dhe paqartësi tek tatimpaguesi.

Ndërsa, përsa i takon heqjes së taksës mbi fitimin e hoteleve me 4 dhe 5 yje, Reinke tha se nuk është e qartë se kush janë përfitimet në ekonomi, duke parë që pengesa kryesore për zhvillimin e turizmit është infrastruktura e dobët dhe pasiguria mbi pronësinë e objektit, dhe nuk është e qartë se si heqja e taksave do të ketë efekt mbi këto pengesa.

Ndër të tjera, Reinken tha se paketa fiskale i jep liri veprimi qeverisë, duke dobësuar transparencën e zbatimit të ligjit të taksave.

Në fund, FMN e sheh me shqetësim faktin se lehtësimi i TVSH-së për këto hotele mund të shkojë përtej çmimit të dhomave të hotelit, duke përfshirë shërbime të tjera (konkurente në treg) ndërsa janë të paqarta kriteret për të përfituar nga ky lehtësim, dhe e gjitha kjo mund të çojë në rritje të evazionit fiskal.

Për Partneritetet Publike Private, Reinke u shpreh se megjithëse FMN e kupton nevojën e qeverisë për të nxitur investimet publike, ajo vazhdon të rekomandojë se projektet duhet të zgjidhen sipas një prioriteti transparent, dhe procesi i zgjedhjes duhet të përfshijë një analizë kosto-përfitim, jo vetëm për projektet e financuara nga buxheti i shtetit, por për çdo lloj projekti të PPP-së, përfshirë këtu edhe “kërkesat e pakërkuara”.

Çdo detyrim i qeverisë duhet të kontabilizohet sipas procedurave të duhura ndërkombëtare, pra PPP-të duhet të kontabilizohen në borxhin publik, gjë e cila aktualisht nuk ndodh, duke rritur rrezikun e zgjedhjes së projekteve të varfëra dhe të nënvlerësimit të rreziqeve fiskale.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>