Ben romantiku vs Ben statisticienit

Ben romantiku vs Ben statisticienit

Dje në Parlament pamë një debat surreal mes dy Benave, deputetë të majtë.

Njëri Ben, i cili shkruan një libër çdo 2 vjet, dikur ministër në një qeveri të majtë me nam jo të mirë, akuzon Benin tjetër, i cili punon si ministër i ekonomisë në një qeverie të majtë me nam akoma më të keq, se me poliitkat e tij ai po i largon të varfërit nga vendi.

Beni tjetër, që hiqet prej kohësh si ekonomist doktrinar, i përgjigjet Benit shkrimtar se të shqetësohesh me metafora për të varfërit është sjellje romantike, ndërsa ai vetë, si mendimtar i ftohtë i ekonomisë, flet vetëm me statistika.

Dhe Beni ministër statisticien nuk vonohet asnjë çast të dëshmojë publikisht përgatitjen e tij statistikore duke ju drejtuar Benit shkrimtar: “Ben, nuk ishte debat akademik, iu referova statistikave reale. Një korporatë, një ndërmarrje tatohet 15 për qind dhe është niveli i parë i taksimit. Personi që është administrator dhe merr mbi 1 milionë lekë tatohet 23 përqind, ndërsa aksionari tatohet 15 përqind. Pra 15+15 përqind bëhen 30 përqind.”

Është e nevojshme që dikush ta vejë në djeni Benin statisticien se 15 për qind + 15 për qind në botën e ekonomisë reale nuk është 30 për qind, por 27,75 për qind (15 për qindshi i dividentit të aksionerit aplikohet mbasi fitimit të kompanisë i janë marrë 15 përqind si taksë), dhe se shkenca humane që merret me tatimet është financa publike e jo statistika.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>