Sensorët e lëvizshëm të ajrit, zgjidhja për të matur dhe luftuar ndotjen e ajrit

Nga Amarildo Topi
Sensorët e lëvizshëm të ajrit, zgjidhja për të matur dhe luftuar ndotjen e ajrit

Ndotja e ajrit mund të shkaktojë plakje më të shpejtë të trurit, ankth, dëmton zemrën e mushkëritë, mund të shkaktojë kancer dhe tani është një ndër rreziqet më të mëdha për shëndetin publik, duke vrarë më shumë shumë njerëz në botë se sa AIDS dhe malaria të kombinuara sëbashku.

Vetëm në Europë humbin jetën 400 mijë persona në vit si pasojë e ajrit të ndotur bën të ditur Agjencia Europiane e Mjedisit.

Ndotja e ajrit është një problem serioz, sidomos në vende në zhvillim si ky i yni. Por përpara se sa të marrësh masa ta reduktosh atë duhet të jesh në gjendje ta masësh, çka çuditërisht në rastin e Shqipërisë rezulton shumë e vështirë.

Por ne kemi të drejtë të dimë çfarë ajri hyn në mushkëritë tona dhe mbi të gjitha duam që ky ajër të jetë i pastër!

Një mënyrë për të arritur këtë qëllim është të kemi të dhëna më të mira dhe në kohë reale, që në terma afat-shkurtër të mos ekspozohemi në zonat ku ndotja është e lartë dhe në terma afat-gjatë të kuptohet më mirë problemi dhe të merren masat e duhura.

Duke parë ngurtësinë për të dhëna të institucioneve ose kur të dhënat nuk janë një kohë reale, qytetarët në vendet perëndimore kanë gjetur një mënyrë për të vënë nën presion organet e pushteti lokal dhe ato qendror.

Këtë gjë janë duke e bërë me ndihmën e një gjeneratë të re sensorësh të ajrit. Ata janë të vegjël, të lëvizshëm, të lirë dhe janë duke revolucionarizuar matjen e ndotjes.

Me anë të tyre ndotja e ajrit mund të matet në çdo pjesë të qytetit në mënyrë shumë të saktë. Cilësia a ajrit ndryshon nga zona në zona. Nëse jeton në një zonë të ndotur, por stacioni i matjes nga institucionet e zyrtare është larg, mund të mendosh që po thith ajër të mirë, por në të vërtetë je i ekspozuar ndaj ajrit të ndotur.

Duke parë se në faqet e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Bashkisë së Tiranës dhe Institutit të Shëndetit Publik nuk ka asnjë të dhënë në kohë reale për cilësinë e ajrit të Tiranës menduam të blejmë një aparat të tillë.

Aparati i markës HoldPeak HP-5800D mat përqëndrimin e dy ndotësve kryesorë të zonave urbane: grimcat e ngurta (PM) ose PM10 (1/8 e trashësisë së fijes së flokut të njeriut) ose PM2.5 (1/20 e trashësisë së fijes së flokut të njeriut).

Këto grimca kaq të vogla çlirohen në ajër në formë të lëngët apo të gurtë dhe përbëjnë pluhurin, blozën dhe tymin. Burimet e grimcave të ngurta janë makinat, fabrikat, aktivitetet ndërtuese, zjarret, erërat që ngrenë pluhurin dhe bimësia. Grimcat e ngurta, veçanërisht PM2.5, mund të depërtojnë thellë në mushkëri duke dëmtuar indet dhe zvogëluar funksionet e saj.

Në matjen e parë që realizuam në mbrëmjen (18:00) e 23 nëntorit në sheshin Avni Rustemi niveli i PM2.5 ishte 220.6 µg/m3 dhe niveli i PM10 ishte 297.2 µg/m3.Marzhi i gabimit të kësaj aparature është ±15μg/m3.

10 minuta më pas në bëmë edhe një matje në qender të Tiranës (shih videon më poshtë) dhe rezultoi se niveli i PM2.5 ishte 88 µg/m3 dhe niveli i PM10 ishte 87.1 µg/m3.

Ndërkohë sipas standarteve të Bashkimit Evropian niveli mesatar vjetor i PM2.5 duhet të jetë 25 µg/m3 ndërsa PM10 40 µg/m3.

Të dhënat për qendrën e Tiranës janë shumë më të ulëta se sa ato në sheshin Avni Rustemi dhe tregojnë se cilësia e ajrit nuk është e njëjtë në të gjithë qytetin.

Prandaj është shumë e nevojshme që monitorimi i cilësisë së ajrit të bëhet në shumë pika, atje ku njerëzit lëvizin dhe marrin frymë, dhe nëse ajri rezulton i ndotur qytetarët tu shmangen atyre zonave.

Për të rritur sa më shumë ndërgjegjësimin për këtë problem Citizens Channel do të raportojë me matje në kohë reale të cilësisë së ajrit nga zona të ndryshme të Tiranës.


Ky artikull u botua më parë në Citizen-Channel.com.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>