Si çdo vit në të gjithë Shqipërinë në nëntor u festuan festat kombëtare: çlirimi i Tiranës më 17 nëntor, dita e çlirimit të Shqipërisë nga nazistët më 29 nëntor, dhe, sikurse edhe në Kosovë, Maqedoni dhe Preshëves, 28 nëntori, dita e Pavarësisë Kombëtare e njohur edhe si Festa e Flamurit.
Kjo Festë e Flamurit, festa e vërtet kombëtare e shqiptarëve kudo që ndodhen, është edhe rasti për bankete dhe takime të të gjitha komunitetevve shqiptare nëpër botë.
Pothuajse përputhja mes Festës së Flamurit dhe asaj të çlirimit të Shqipërisë kanë ndezur përherë debate mes ish-komunistëve dhe nacionalistë të thjeshtë mbi datën e vërtet të çlirimit—ish-komunistat vazhdojnë retorikën e tyre antifashiste, apo më saktë festojnë ardhjen e tyre në pushtet, dhe nacionalistët që i bëjnë jehonë Ismail Qemalit dhe shpalljes së pavarësisë më 1912.
Ashtu sikurse në shumë vende, kur flitet për “çlirim” dhe për “pavarësi”, termat ngatërrohen sepse çdo sistem politik ka prirjen të ngrejë legjitimitetin mbi vlerësimin e ngjarjeve apo situatave të caktuara historike, të cilat shpesh kanë tjetër shpjegim historik nga ai që ato i japin dhe jo rrallë janë përcaktuar nga forca të jashtme e jo nga forcat që kanë përfituar politikisht prej tyre.
Pa dashur të zbeh aspak ndjenjën kombëtare, legjitime dhe shpesh të domosdoshme, “çlirimet” e ndryshme të arritura pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore janë sigurisht rezultat që i detyrohet më shumë aftësive ushtarake aleate se sa batalioneve partizane në vende të ndryshme, të cilat më pas ndërtuan një narrativë dhe retorikë të njëanshme shpesh me nota nacionaliste. E njëjta gjë ka ndodhur shpesh edhe me “pavarësitë” e ndryshme, të cilat zakonisht kanë qene bija të negociatave të errëta diplomatike ndërmjet fuqive të mëdha se sa përpjekjeve, sado të nderuara, të politikanëve dhe drejtuesve të tribuve vendase.
Edhe Shqipëria në historinë e saj të shkurtër të shtet-kombit nuk ndahet nga modeli i përgjithshëm, dhe provë e kësaj janë diskutimet që vazhdimisht rishfaqen në raste përvjetoresh.
Por këto polemika shpesh i drejtohen të shkuarës, shkaqeve, aktorëve të vërtet, të këtyre dukurive politike dhe nuk marrin në konsideratë prespektivën historike për të ndërtuar perspektivën e një të ardhmeje për vendin apo bashkësisë kombëtare.
Gjithmonë e kemi studiuar historinë dhe gjeopolitikën si lëvizje ndërmjet kombeve, ose të paktën ndërmjet shtet-kombeve, apo akoma më thjeshtë ndërmjet organizatave politike të bazuara mbi një logjikë gjeografike territoriale dhe tani, edhe pse në përpjekjen (jo të re historike) për të ndërtuar një prespektivë evropiane, gjendemi thellësisht të turpëruar në festime për kujtimin e fitoreve ushtarake kundër vendeve të djeshme armike që janë kthyer në aleatët e sotëm.
Çdo vend evropian e ka një fitore kundër fqinjit për ta festuar si ngjarje të rëndësishme të historisë kombëtare, ndërsa i njëjti fqinj sot është kthyer në partner tregtar dhe shpesh edhe politik, por më shumë se gjysma e Evropës feston fitoren (apo çlirimin) nga Gjermania, ndërsa ministrat e tyre shkojnë pikërisht në Gjermani, me kapelen në dorë, për të kërkuar para apo favore politike—e bën Franca, e bën Italia, e si të mos e bëj Shqipëria.
Për vendet e Ballkanit, të sunduara gjatë dhe jo rrallë të pretenduara nga perandori të ndryshme, edhe pavarësia, njohja e sovranitetit të shtetit, fatkeqësisht pothuajse ansjëherë shtet-komb, ka qenë më shumë çlirim nga një fuqi e jashtme e cila i detyronte vendit të zbatonte rregulla dhe taksa të papërballueshme.
Në rastin shqiptar, të thuash pavarësi apo çlirim nga Perandoria Otomane ka të njejtin kuptim, por në përdorimin politik “pavarësia” ka marrë kuptimin e emancipimit, si ajo e arritjes së moshës madhore nga një i ri, ndërsa termi “çlirim” është kthyer ekskluzivisht në legjitimimin e një rendi të ri politik në ndryshim nga i vjetri.
Nëse nën dritën e globalizmit dhe të nevojës së sotme të pakontrollueshme të shqiptarëve për të qënë “qytetarë të lirë të botës”, do të duhej ta përdornim termin “çlirim” për atë që ai nënkupton në të vërtetë, atëherë nuk do të mund të festonim kurrë fillimin e një regjimi të errët që ndaloi për gjysëm shekulli ushtrimin e pikërisht asaj të drejte që sot e konsiderojmë të drejtë të patjetërsueshme njerëzore. Dhe në të njëjtën mënyrë, nëse marrim parasysh mbi 50 mijë qytetarët shqiptarë që në një vit të vetëm kërkojnë azil në Gjermani, vështirë se mund ta festojmë atë si “çlirim” nga gjermanët.
Gjëja ndryshon thelbësisht nëse kalojmë nga prespektiva gjeografike në prespektivën politike dhe shoqërore—nëse konceptit të pavarësisë, në vend që t’i bashkëngjisim konceptin e sovranitetit, t’i bashkëngjisim konceptin e administrimit të përgjegjshëm të publikes, të së përbashkës, në bazë të nevojave dhe domsodoshmërive të një komunitetit të përcaktuar, dhe nëse konceptit të çlirimit, në vend që t’i bashkangjisim një sistem normash të diktuara nga jashtë, i bashkangjisim konceptin e çlirimit nga vargonjtë që ndalojnë zhvillim harmonik të shoqërisë.
Vetëm atëherë mund të kuptojmë se për Shqipërinë pavarësia dhe çlirimi fatkeqësisht janë ende synime që duhen arritur. Atëhere ndoshta mund të kuptojmë edhe se ky sovranitet i përdorur përherë si një zonë e lirë ku strehohemi për t’u arratisur nga rregullat e përbashkëta të komunitetit perëndimor është kthyer në një burg të vërtet nga i cili sot duam të çlirohemi të gjithë.