“Këto media u krijuan sepse i duheshin politikës për t’i përdorur. Ishte koha ku një gazetë ishte baras me një tender, me një pallat, etj. Gjithçka u bë e bleshme”.
Kështu u shpreh Armand Shkullaku në një bisedim mbi median, të organizuar nga Universiteti Evropian i Tiranës, i komentuar në një artikull artikull të gazetës Mapo.
Shkullaku shprehet se media nuk është konceptuar si industri fitimprurëse nëpërmjet asaj që prodhonte media vetë, por si aksesor për një biznes tjetër më të madh.
“Media si industri dëmtoi median si besueshmëri, që për një gazetar shihet si investimi më afatgjatë. Kjo rrugë e shkurtër e medias dhe raporti me politikën, deformimi i realitetit për qëllim të caktuara, apo qoftë edhe nevoja për mbijetesë apo për të bërë luftë të pandershme ka çuar te humbja e besueshmërisë te publiku”— shpreh Shkullaku.
Ai shtoi se “në rrugën e tranzicionit të gjatë shqiptar shumica e mediave zgjodhën rrugën e shkurtër për të mbijetuar. Duke u vënë në shërbim të politikës. Nuk është çudi në një vend si Shqipëria ku pjesa më e madhe e parave vijnë nga buxheti i shtetit; tenderë apo prokurime publike”.
Ndërsa për cilësimin e medias si “kazan” nga Kryeministri, ai u shpreh se:
“Rama do të barazojë mosbesimin dhe gati përbuzjen që publiku ka ndaj klasës politike në përgjithësi me humbjen e besueshmërisë ndaj mediave. Shfrytëzon koeficientin e lartë të pakënaqësisë për të relativizuar kritikat ndaj qeverisë”.