Këpucët “Made in Albania” paguajnë taksë doganore

Këpucët “Made in Albania” paguajnë taksë doganore

Dihet se procedurat doganore janë shpesh të çuditshme në të gjithë botën, dhe logjika e funksionimit të tyre nuk është gjithmonë e lehtë për tu kuptuar, por ajo që po ndodh në Shqipëri i kapërcen të gjitha.

Sipas procedurave doganore çdo kompani e cila do të importojë në vend këpucë të markës “Made in Albania”, të prodhuara me material të importuar nga vendet e BE-së, duhet të paguaj taksë doganore me vlerë 15 për qind dhe TVSH 20 për qind.

Por nëse e njëjta kompani vendos të fusë në tregun vendas të njëjtin produkt me të njëjtin material, por nën markën “euro 1” (markë për certifikimin e produkteve të prodhuara brenda vendeve të BE-së) është e përjashtuar nga taksa doganore dhe duhet të paguaj vetëm TVSH-në.

Ky fakt u zbulua nga një prej prodhuesve kryesorë evropianë të këpucëve për punë, i cili kërkonte të shiste në tregun shqiptar këpucët e punës të markuara me markën “Made in Albania”.

Këpucët e punës kanë një metodë të specializuar prodhimi. Ato përfshijnë një gamë të gjërë produktesh si këpucë për elektricista, për kantier ndërtimi, për kuzhinier e kështu me radhë për të gjitha profesionet.

Fabrikat e prodhimit të këpucëve mbajnë vetëm një model specifik dhe i dërgojnë sasitë e mëdha të këpucëve të prodhuara nëpër magazinat e kompanisë, nga aty më pas i shpërdajnë për klientët e tyre.

Kur fabrika e prodhimit importon në vend lëndën e parë, i nënshtrohet praktikave të importit të përkohshëm, e cila i lejon atyre të paguajnë vetëm TVSH-në dhe jo taksën doganore. Kjo praktikë i detyron ato që të rieksportojnë produktin e prodhuar sipas skedës së materialeve të importuara të përdorura për prodhim.

Kjo praktikë zbatohet nga dogana për të shmangur kontrabandën e produkteve.

Kjo do të thotë se nëse një kompani shqiptare prodhon këpucë me material të BE-së për një kompani të huaj, ajo duhet ta rieksportojë mallin.

Si përfundim këpucët e prodhuara në Shqipëri, për tu shitur në vend, duhet të bëjnë dy rrugë, dhe në kthim të paguajnë edhe 15 për qind taksë doganore.

Në doganë shprehen se, Shqipëria nuk është pjesë e Bashkimit Evropian dhe produktet e saj nuk mund të certifikohen me markën “euro 1” në mënyrë që të përfitojnë trajtim preferencial nga doganat.

Nuk ekziston një ligj apo vendim për përjashtimin taksa doganore për importimin e produkteve “made in Albania”. Kjo mungesë në legjislacion pengon zhvillimin e një prej të paktave industri prodhuese në vend.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>