Arkitektët kundështojnë prishjen e Teatrit Kombëtar: Duhen ruajtur vlerat historike

Arkitektët kundështojnë prishjen e Teatrit Kombëtar: Duhen ruajtur vlerat historike

Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë ka kundërshtuar sot publikisht prishjen e Teatrit Kombëtar dhe shkatërrimit të vlerave që ai mbart.

Përmes një letre publike, arkitektët shprehen:

“Ne, më shumë se kushdo, nuk mund të pajtohemi me prishjen e vlerave historiko-arkitektonike të qytetit tonë, të atyre veprave që edhe pse pa shumë vlerë kapitale, mbartin vlerë shpirtërore e më shumë, vlerë të memories së brezave të tërë.”

Duke kujtuar rëndësinë e Teatrit Kombëtar si “djepi dhe streha e pasurisë artistiko-teatrore të kryeqytetit, dhe vendi ku lindi teatri modern shqiptar”, Shoqata propozon se godina e teatrit duhet restauruar duke ruajtur identitetin që ka:

“Për të ruajtur memorien e brezave të artistëve, por edhe të qendrës historike të qytetit, ai [Teatri Kombëtar] duhet të rikonstruktohet e restaurohet në formën që ka e ndoshta të mbetet si një sallë për shfaqje dhe evente të veçanta.”

Duke mos kundërshtuar në vetvete ndërtimin e një teatri të ri, arkitektët propozojnë ndërtimin e tij në një zonë periferike të kryeqytetit, si për shembull përgjatë Bulevardit të Ri:

“Pse mos të ketë Tirana dy Teatro, një të ri e një të vjetër? Le të ndërtohet aty një teatër i ri, i cili si një qendër e jetës kulturore, mund të bëhet thirrës i jetës e i gjallërisë në periferi dhe fillesë e një kompleksi arkitektonik modern, pa cënuar kështu pjesën historike, por duke krijuar hapësirë për të „shfryrë“ presionin e kapitalit që kërkon të ndërtojë.”

Prishja e Teatrit Kombëtar është kthyer në një nga temat më të diskutuara nga opinion publik gjatë javëve të fundit.

Projekti i Teatrit të ri që po planifikohet të ndërtohet nga Qeveria Rama dhe Bashkia Tiranë parashikon një ndërtesë masive të betonit, që do të shërbejë si teatër, të rrethuar nga kulla shumëkatëshe.

Projekti u bë publik vetëm ditët e fundit dhe ka shkaktuar kundërshtimin si të aktorëve, ashtu dhe të ekspertëve dhe qytetarëve.

Lidhur me prishjen e Teatrit Kombëtar, Exit ka shkruar  këtukëtu dhe këtu.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>