Ministri i jashtëm ukrainas Pavlo Klimkin i ka kërkuar BE-së dhe SHBA-ve të përfshijë në listën e kompanive e personave nën sanksione dhe ish-kancelarin gjerman Gerhard Schröder të kompaninë ruse të naftës Rosneft.
Kjo kërkesë vjen pas vendimit të Presidencës Trump për vendosjen e sanksioneve ndaj shtetasve dhe kompanive ruse, që akuzohen se kanë ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016 përmes sulmeve kibernetike.
Megjithatë gazeta amerikane The Wall Street Journal, në një editorial të saj të ditës së dielë, pohonte se si ish-kancelari Schöder, kryetar i bordit të gjigantit rus të naftës Rosneft, ka shpëtuar nga sanksionet, ndonëse është lobisti më i rëndësishëm për Putinin në botë.
Gerhard Schröder, i cili u zgjodh kryetar i bordit të Rosneft vitin e kaluar, po luan prej kohësh “shfajësuesin” për çdo vendim apo sjellje autokratike të Presidentit rus Vladimir Putin. Vetëm pak ditë pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Moska në vitin 2014, Schröder vizitoi Putinin dhe u fotografua duke e përqafuar atë.
Po ashtu, një nga vendimet e fundit të ish-kancelarit gjerman para se të linte zyrën në vitin 2005, ishte dhënia e lejes për ndërtimin e Nord Stream-it, një tubacion gazi nën detin Baltik, nën kontrollin e Gazpromit rus. Pak javë pas këtij vendimi, me ndërhyrjen e Putin, Schröder u emërua kryetar i bordit të Nord Stream.
Projekti u kritikua rëndë nga qeveria ukrainase, sepse do të lejonte Rusinë të eksportonte gazin në Evropën Perëndimore nëpërmjet Detit Baltik pa pasur nevojë për hyrjen në Ukrainë si një vend tranzit.
Këto por dhe situata të tjera të ngjashme, kanë bërë që Gerhard Schröder të njihet si lobisti më i fortë i Putin në Evropë dhe arenën ndërkombëtare.
Ministri ukrainas Klimkin, në një intervistë për gazetën gjermane BILD, duke folur për këtë situatë u shpreh:
“Është e rëndësishme që të ketë sanksione dhe kundër atyre që promovojnë projektet e [presidentit rus Vladimir] Putin jashtë. Gerhard Schröder është lobisti më i rëndësishëm për Putinin në mbarë botën.”
Sanksionet ekonomike ndaj kompanive dhe personave specifike kanë ndikim shumë të madh për një vend dhe sipërmarrësit e tij. Ndaj Rusisë, ndër vite janë marrë sanksione të ndryshme nga SHBA-të dhe Bashkimi Evropian.
Duke e bërë të vështirë për bashkëpunëtorët dhe financuesit e Presidentit Putin të bëjnë biznes, të udhëtojnë në Perëndim, ose të përdorin sistemin financiar për të mbrojtur pasurinë e tyre, vendet e Perëndimit synojnë të ndalojnë “makinën” që mban në pushtet Putinin.