Merkel nuk i premton Shqipërisë hapjen e negociatave

Merkel nuk i premton Shqipërisë hapjen e negociatave

Kancelarja Merkel takoi, sot, në Berlin Kryeministrin Rama, por nuk i premtoi atij hapjen e negociatave me Shqipërinë, duke u shprehur se vendimi gjerman për këtë çështje do të merret në ditët e ardhshme.

Në një koment të shkurtër para mediave, para takimit me Ramën, Merkel u shpreh se Shqipëria ka bërë përpara në disa drejtime, por më shumë përparim duhej të bëhet në fusha të tjera, sidomos të luftës kundër krimit dhe korrupsionit.

Qëndrimi i papërcaktuar i kancelares Merkel, duket një mënyrë për të mos shprehur faktin se Gjermania, veçanërisht Bundestagu, mbeten skeptike për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Nëse e shkuara është tregues për ndonjë gjë, rrjedha e ngjarjeve deri në deklaratën e Merkel bën të mendosh se përspektiva për vendimin e qershorit nuk duket e mirë për Shqipërinë.

Ngjarjet e javës së fundit, në lidhje me qëndrimin gjerman, duken pothuajse të njejta me ato të vitit 2016. Në mënyrë identike, si në vitin 2016 edhe në vitin 2018, ndodhën sa më poshtë:

— Komisioni Europian i rekomandon Këshillit Europian hapjen e negociatave, duke botuar një raport shumë pozitiv për qeverinë—qeveria e shpall një arritje të madhe dhe deklaron se tani vendimi është çështje e brendshme politike e BE-së dhe jo çështje e përmbushjes së kushteve nga Shqipëria.

— Kryetari i Komisionit të Çështjeve me BE-në i Bundestagut, Gunther Krichbaum, shprehet publikisht se Shqiëpria nuk është gati për të hapur negociata dhe se Bundestagu gjerman do shikojë plotësimin e kushteve që ka vënë për Shqipërinë.

— Krichbaum sulmohet ashpër nga Edi Rama, politikanët e shumicës dhe mediat pranë tyre, ndër të tjera si një person i parëndësishëm që nuk ka lidhje me vendimin për Shqipërinë, të cilin e ka në dorë vetëm Merkel.

— Tre ditë pas pohimit të Krichbaum, Rama viziton Berlinin dhe takohet me Kancelaren Merkel.

— Kancelarja zgjedh të bëjë një koment të shkurtër për mediat para takimit me dhe jo konferencë shtypi pas takimit.

— Në komentet e saj, Merkel nuk shprehet nëse do të votojë pro hapjes së negociatave, por thekson se vendimi i Gjermansië nuk është marrë ende dhe do të merret në ditët e ardhshme.

— Merkel thekson se Shqipëria ka bërë përparime në disa drejtime, por duhet të bëjë më shumë punë në disa të tjera veçanërisht në fushën e luftës kundër krimit dhe korrupsionit.

— Merkel nuk përmend fare as raportin e Komisionit Europian dhe as rekomandimin e tij per hapjen e negociatave.

Rezultati në dhjetor 2016 ishte mos miratimi i hapjes së negociatave me Shqipërinë, edhe pse Shqipëria i shpëtoi marrjes zyrtarisht të refuzimit, për shkak se Austria vendosi veto për miratimin e deklaratës në lidhje me zgjerimin, pasi vuri kusht ndërprerjen e plotë të procesit të negociatave me Turqinë.

Mbetet për t’u shpresuar se këtë herë, ndryshe nga vitit 2016, qëndrimet gjermane mos jenë paraprirje e refuzimit të mundshëm të Gjermanisë për hapjen e negociatave me Shqipërinë, kryesisht për shkak të mungesës së përparimit në luftën kundër krimit, drogës dhe korrupsionit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>