Anëtari i Gjykatës Kushtetuese Fatmir Hoxha duket se nuk ka parregullsi në deklarimin e pasurisë dhe është drejt rikonfirmimit në detyrë.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) që zhvilloi sot seancë dëgjimore me avokatin e Zotit Hoxha, pasi ky i fundit nuk ndodhej në sallë, raportoi se pasuria është vënë në rrugë të ligjshme dhe se nuk ka deklarim të rremë apo fshehje të pasurisë.
Në fund të seancës dëgjimore, relatorja Alma Faskaj u shpreh:
“Në lidhje me pasurinë ILDKPKI ka vlerësuar se deklarimi është i saktë. Fatmir Hoxha nuk ka kryer deklarim të rremë dhe nuk ka fshehur pasurinë. Ka një apartament banimi 2+1 në Tiranë me vlerë 140 mijë e 450 euro.
Në lidhje me kontrollin e figurës, DSIK ka konstatuar përshtatshmërinë për vijimin e detyrës.
Në lidhje me kontrollin profesional, KLD ka vlerësuar se ka aftësi ligjore dhe kushtetuese.”
Vendimi për rikonfirmimin ose jo në detyrë të zotit Hoxha do të merret më 10 maj.
Zoti Hoxha është anëtar i Gjykatës Kushtetuese që prej vitit 2011, ndërsa më parë ka qenë kryetar i Gjykatës së Apelit.
Fatmir Hoxha është anëtari i pestë i Gjykatës Kushtetuese që përballet me KPK-në. Deri më tani vetëm Vitore Tusha ka kaluar vetingun dhe është konfirmuar në detyrë. Besnik Ymeraj dha dorëheqjen, por u referua nga KPK në Prokurori, ndërsa Fatos Lulo dhe Altina Xhoxhaj u shkarkuan për mosjustifikim të pasurisë.
Me shkarkimin e Xhoxhajt, Gjykata Kushtetuese nuk mund të mbledhë kuorumin, e për pasojë nuk mund të zhvillojë asnjë seancë e të marrë asnjë vendim.