Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku shkarkoi sot nga detyra drejtuesin e Prokurorisë për Krimet e Rënda, prokurorin Besim Hajdarmataj.
Lajmi u bë publik sot dhe ende nuk janë mësuar arsyet e shkarkimit të prokurorit Hajdarmataj.
Në vend të tij është emëruar prokurorja Donika Prela, e cila më parë drejtonte Prokurorinë e Durrësit.
Besim Hajdarmataj është prokurori kryesor në hetimet e çështjes së ish-ministrit Tahiri. Hajdarmataj firmosi kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit të Tahirit dhe lejimin e arrestimit të tij.
Një shkarkim i mundshëm i prokurorit Hajdarmataj ishte paralajmëruar dhe më parë nga media për shkak të dosjes kryesore që po hetoj prej tij, ajo e Saimir Tahirit, i cili që prej disa ditësh po hetohej pa imunitetin e deputetit.
Kjo nuk është e vetmja ndërhyrje e Markut në çështjen Tahiri. Kryeprokurorja Marku lejoi ekstradimin në Itali të Nazer Seitit, financierit të bandës së Habiljave dhe të vetmit anëtar të kësaj bande që u arrestua dhe po hetohej në Shqipëri. Më pas Zonja Marku e pranoi se ekstradimi i tij është bërë në shkelje të ligjit.