Një minatori 62 vjeçar humbi jetën sot në minierën e kromit në Bulqizë.
Sipas policisë, minatorit me iniciale M.H i ka rënë një masiv shkëmbor sipër teksa po punonte në galerinë D të minierës.
Zona D e minierës së Bulqizës njihet si një prej galerive më të rrezikshme dhe në kushte të papërshtatshme për të punuar, por kjo nuk ka bërë që institucionet përkatëse të vënë përpara përgjegjësisë kompanitë koncesionare.
Gjatë muajve të fundit, gjashtë minatorë kanë humbur jetën në këtë galeri, tre prej të cilëve kanë vdekur për të njëjtin shkak: rënie e masivit të shkëmbit.
Në mars 2018, një minator 66 vjeçar humbi jetën, si pasojë e shëmbjes së një masivi shkëmbor.
Në nëntor 2017, viktima ishte një minator 20 vjeçar, ndërsa në tetor një 33 vjeçar.
Në shkurt, tre minatorë kinezë mbetën të bllokuar për disa ditë dhe më pas u nxorën të vdekur nga miniera e kromit në Bulqizë. Ata humbën jetën si pasojë e një shpërthimi gazi. Tre minatorë të tjerë u plagosën gjatë këtij aksidenti.
Megjithë vdekjet e shumë minatorëve në minierat e kromit në Bulqizë, asnjë drejtues apo pronar i kompanive koncesionare nuk është ndjekur penalisht në tre vitet e fundit.