Një magazinë me 671 kilogramë kanabis u zbulua sot në zonën e Karaburunit dhe një person u arrestua.
Policia e Vlorës e gjeti sasinë e drogës në vendin e njohur si depot e Valanidhit.
Deri më tani nuk ka asnjë informacion të saktë, por sipas burimeve, kanabisi ishte bërë gati për tu transportuar drejt Italisë.
Policia po punon ende për gjetjen e personave që kujdeseshin dhe kishin në pronësi magazinën.
Sipas informacioneve të deritanishme, operacioni që u finalizua me kapjen e kanabisit sot, ka nisur që më datë 20 maj.
Kanabisi do të nisej drej Italisë me gomone, në datë 20 maj, nga italiani Antonio Summa, 26 vjeç.
Por natën e 20 majit, skafisti ngatërroi rrugën dhe u kap në ujërat e Sarandës bashkë me një gomone me 200 litra benzinë. Që prej atij momenti policia nisi hetimet për të zbuluar rrjetin e trafikut.
Sipas deklaratës të bërë në polici, Antonio Summa ja ka marrë gomonen një miku të tij, të njohur si “Cosimo”. Ai ka deklaruar se është nisur nga brigjet e Leces për të vizituar Greqinë, por është ngatërruar rrugës dhe ka mbërritur në Sarandë.
Antonio Summo aktualisht është vënë nën masën e sigurisë “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t0u paraqitur në policinë gjyqësore”.