Vetëm pak ditë pas takimit në Finlandë mes Presidentit amerikan Trump dhe atij rus Putin, Shtëpia e Bardhë lajmëron se shumë shpejt mund të ketë një takim të dytë, kësaj herë në SHBA.
Presidenti Trump i ka kërkuar administratës së tij që të ftojë zyrtarisht presidentin Putin për një vizitë zyrtare në Washington, brenda këtij viti.
Kjo ftesë vjen pas një jave të trazuar në Shtëpinë e Bardhë, pas takimit shumë të diskutueshëm Trump-Putin.
Presidenti amerikan u kritikua rëndë si nga demokratët, ashtu dhe republikanët se ka mbajtur anën e Rusisë lidhur me çështjen e ndërhyrjes së inteligjencës ruse në zgjedhjet amerikane të vitit 2016.
Donald Trump, nga ana tjetër, e quajti takimit të sukseshëm duke shkruajtur në Twitter:
“Samiti meRusinë ishte një sukses i madh. Pres që takimi ynë i dytë të fillojë me zbatimin e disa prej çështjeve të diskutuara, duke përfshirë ndalimin e terrorizmit, sigurinë për Izraelin, sulme kibernetike, tregtinë, Ukrainën, paqen në Lindjen e Mesme, Korenë e Veriut dhe më shumë . Ka shumë përgjigje, disa të lehta dhe të vështira për këto probleme … por ato mund të zgjidhen të gjitha!”