Qeveria ka vendosur të kompensojë me €48,5 milionë, në 30 vite, pra më shumë se €1,6 milionë euro në vit, kompaninë koncesionare të Rrugës së Kombit për shkak të uljes së tarifës së kalimit për banorët e zonës së Kukësit. Ky vendim e çon vlerën e përgjithshme të konçesionit në 350 milionë euro. Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj e shpalli këtë vendim dje, duke u shprehur se:
“Të gjitha zbritjet [..] për qytetarët e Kukësit, për linjat, për përdoruesit e shpeshtë, shkojnë në 48,5 milionë euro. […] dhe Kryeministri ka vendosur që Buxheti i Shtetit do të marrë këtë kosto, rreth 50 milionë euro vetëm për këtë zbritje të konsiderueshme.”
Por përveç deklarimit të shifrës, Ahmetaj nuk dha asnjë argument apo informacion se mbi çfarë të dhënash dhe analize është arritur tek kjo shifër. Duket se për ta bërë atë të duket sa më e studiuar janë përpjekur ta shprehin atë në formën me presje dhjetore, 48,5 milionë euro. Është me vend të theksohet se kjo shumë është, mesatarisht, mbi 20 për qind të vlerës vjetore të trafikut të garantuar për koncesionarin për vitin e parë dhe në vlera të përafërta në vazhdimësi deri në 12 përqind në vitin e tridhjetë.
Është e vështirë të gjendet një shpjegim se si Ministria e Financave e ka vlerësuar trafikun e banorëve të zonës së Morinë-Kukës sa gati një të katërtën e të gjithë trafikut të Rrugës së Kombit në nivelin e trafikut të garantuar (25 për qindëshi është nxjerrë nisur nga fakti se kompensimi mbulon rreth 4/5 të tarifës, pasi banorët do të paguajnë 100 lekë për çdo kalim.)
Përtej vlerës në dukje të fryrë të shumës së kompensimit, po aq problematik është fakti se vlera e kompensimit është e paracaktur dhe nuk do të bazohet mbi trafikun real: pavarësisht se sa banorë do ta përdorin rrugën, vlera e kompensimit është e njejtë. Ndërkohë që metoda që parashikohet në kontratë për pagesa të tjera të humbura është ajo e paspagimit në bazë të të dhënave reale: në fund të çdo muaji, koncesionari paraqet numrin e kalimeve të automjeteve me tarifë të reduktuara apo falas dhe kërkon kompensimin për to.
Por skandali më i madh i kësaj zgjidhje të qeverisë është se ajo tejkalon kushtet e konkurimit dhe kontratës së koncesionit të lidhur mes palëve. Kontrata e koncesionarit e kishte parashikuar që për përdoruesit e shpeshtë—kryesisht banorët e zonës që janë të detyruar të përdorin rrugën në aktivitetet e përditshme të tyre—do të kishte një tarifë të ulur, por kjo ulje nuk do të kompensohej direkt si zë i veçantë nga qeveria.
Neni 11.8 i kontratës se koncesionit parashikon:
“Koncesionari harton dhe zbaton një skemë të zbritjesh për përdoruesit e shpeshtë. Skema përditësohet çdo fillim viti.”
Arsyeja që kontrata nuk parashikon kompensim për tarifat e ulura është e thjeshtë: kontrata i garanton koncesionarit të ardhurat në një nivel të caktuar—pra nëse ky nivel nuk arrihet nga të ardhurat e trafikut, qeveria i paguan nga buxheti i shtetit koncesionarit të ardhurat e munguara. Kështu, për shembull, kontrata parashikon që në vitin e parë të koncesionit, koncesionarit i garantohen 8 milionë euro të ardhura dhe nëse kjo shumë nuk arrihet nga pagesat e trafikut, shuma e munguar i paguhet atij nga të ardhurat e buxhetit.
Por pavarësisht këtij rregullimi, me vendimin e fundit qeveria në mënyrë të pashpjeguar dhe në shkelje të kontratës ka zgjedhur ta kompensojë dy herë koncesionarin, direkt me një shumë fiske për shkak të tarifave të ulura për kaluesit e shpeshtë dhe pastaj në fund të vitit për shumën e munguar nga niveli i garantuar i të ardhurave nga trafiku.
Pra, si shembull për vitin e parë , qeveria jo vetëm që do ti kompensojë koncesionarit çdo vlerë të munguar nga të ardhurat deri në €8 milionë, por mbi këtë shumë do t’i japë koncesionarit rreth €1,6 milionë si justifikim për tarifat e ulura.
Situata bëhet edhe më absurde në rastin kur të ardhurat nga trafiku janë të larta, pasi në këtë rast koncesionarit i mundësohet të mbajë të ardhurat që duhet të ndaheshin me qeverinë—kontrata parashikon se nëse të ardhurat e mbledhura nga trafiku kalojnë një kufi të caktuar, një pjesë e të ardhurave mbi këtë kufi i kalon qeverisë. Kështu për shembull për vitin e parë kufiri pas të cilit e gjithë e ardhura shtesë ndahet është €9,5 milionë euro. Kjo do të thotë se për këtë vit, nëse koncesionari mbledh më pak se €8 milionë, qeveria i paguan atij diferencën deri në €8 milionë, nëse të adhurat janë €8-€9,5 milionë i mban të gjitha koncesionari, ndërsa të ardhurat shtesë mbi €9,5 milionë ndahen mes koncesionarit dhe qeverisë.)
Ky favorizim i pajustifikuar dhe, me gjasa, i paligjshëm i koncesionarit të Rrugës së Kombit është në vazhdën e praktikave të dyshimta korruptive, për dhënien e këtij koncesioni. Sikurse ne kemi argumentuar më parë se konsorciumi Kastrati-Salillari jo vetëm nuk plotësojnë asnjë kriter dhe nuk kanë asnjë aftësi për të fituar koncesionin, por kanë zgjedhur të emërojnë si drejtor të kompanisë koncesionare një shtetas italian i cili po gjykohet në Itali për neglizhencë në mirëmbajtjen e një autostrade që çoi në një aksident me 40 viktima.