Protesta e 31 marsit kundër vendosjes së tarifës për Rrugën e Kombit krijoi një standard të ri reagimi qytetar. Vendosmëria dhe guximi i kuksianëve paraditen e atij fundi marsi jo vetëm që shpëtoi Kukësin dhe rrethinat nga haraci koncesionar, por i dha leksion pjesës tjetër së Shqipërisë se si protesta mund të ndryshojë efektivisht një vendimmarrje të caktuar. Djegia e traut ngriti pritshmërinë , të cilën asnjë prej protestave 6 muajt e fundit nuk arriti ta tejkalojë. Ata që mund të dilnin mbi veten ishin kuksianët. Të frikësuar nga terrori policor dhe të përçarë prej politikës, banorët trima që sfiduan shtetin 6 muaj më parë, u stepën e u strukën brenda shtëpive të tyre paraditen e 17 të shtatorit.
Protesta e 17 shtatorit kishte muaj që bluhej në rrjetet sociale. Një thirrje e pazotë, më shumë si shprehje e frustrimit ndaj arrogancës e cinizmit therës të Ramës, mbushi kryefaqet e shumë personave publikë në Shqipëri por pa një plan të qartë veprimi dhe strukture që do te organizonte e orientonte protestuesit. Mëngjesi i asaj dite i gjeti shqiptarët para ekranit të televizorit apo kompjuterit në pritje të skenave të ngjashme të 31 marsit. Në 31 mars, por edhe në 17 shtator, e gjithë Shqipëria ishte me sytë nga Kukësi, si qyteti i vetëm ku reagimi qytetar kishte triumfuar mbi autokracinë dhe oligarkët që qëndrojnë pas saj. Pritja qe e kotë.
Pakkush e dinte se Kukësi kishte mbi një javë nën rropullimën e blindave dhe furgonave me xhama të zinj të Forcave Speciale. Postoblloqet dhe kërkëllima e gomave gjer në mesnatë krijoi një klimë lufte mbi qytetin dikur kandidat për çmimin Nobel. Burra me maska dhe të armatosur rëndë patrullonin rrugët e qytetit duke paralajmëruar raprezalje në rast se njerëzit vendosnin të dilnin e të ripërsërisnin skenat e 31 marsit. Terrori policor pati sukses. Mëngjesi i gjeti kuksianët të huaj në shtëpinë e tyre. Tashmë qyteti i përkiste dikujt tjetër. Madje dhe e drejta për të dalë nga ai nuk ishte më në dorën e tyre.
Dështimi qe po aq spektakolar sa dhe triumfi. Si reagimi, ashtu edhe heshtja e kuksianëve ka diçka të veçantë. Vetëm një popull i gjendur prej shekujsh në anën e errët e të përgjakshme të historisë është i aftë të japë një mesazh të fuqishëm si në kulmin e lavdisë së tyre, ashtu dhe në abisin e një disfate morale. Mesazhi përmban një kumt për të gjithë shqiptarët: Diktatura përparon në gjurmët që frika dhe nështrimi ynë lënë pas. Çdo protestë e dështuar, çdo gazetar i mërguar, krijon hapësira bosh që e mbush mitingu dhe prozelitët e pushtetit. Rënia e Kukësit gjymtoi përfundimisht demokracinë në agoni të shqiptarëve.