Ligji për teatrin, Komisioni rrëzon dekretin, ligji kalon për votim në kuvend

Ligji për teatrin, Komisioni rrëzon dekretin, ligji kalon për votim në kuvend

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese rrëzoi sot, vetëm me votat e shumicës socialiste, dekretin e presidentit Meta për ligjin e teatrit. Ligji, që i hap rrugë shembjes së Teatrit dhe ndërtimit të kullave në zonën përreth tij, do të kalojë për votim sot në seancën pleanre.

Në kuvend ligji miratohet me 71 vota, të cilat shumica socialiste i ka.

Ligji që pritet të miratohet sot është kthyer dy herë në kuvend nga Presidenti Meta. Sipas Presidencës ligji është në shkelje të Kushtetutës, konventave evropiane, parimeve të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) për konkurrueshmërinë dhe parimeve të ndarjes së pushteteve.

Ky ligj është kundërshtuar për muaj me radhë nga artistë e qytetarë, të cilën të organizuar nën Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit i janë drejtuar dhe institucione evropiane për të ngritur këtë shqetësim.

Komisioni Evropian I  ka kërkuar Kryeministrit Rama sqarime lidhur me arsyet e miratimit të një ligji “të veçantë” që lejon shembjen e Teatrit Kombëtar dhe dhënien e pronës publike kompanisë Fusha për të ndërtuar një kompleks kullash.

Me anë të një letre, KE i ka drejtuar qeverisë 15 pyetje, mes të cilave dhe nëse ligji i veçantë “Fusha shpk” është në përputhje me detyrimet që ka Shqipëria në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), që përbën kuadrin rregullues ndërmjet vendit tonë dhe BE-së.

Historiku i ligjit për Teatrin Kombëtar

Më 5 korrik 2018, Ligji special i teatrit u miratua në Kuvend vetëm me votat e mazhorancës. Ligji e kalonte tokën publike të Teatrit Kombëtar tek kompania private Fusha shpk, për ndërtimin e teatrit të ri dhe ndërtimin e 6 kullave rreth tij.

Më 27 korrik, Presidenti Meta nuk e dekretoi këtë ligj, duke e kthyer atë sërish në kuvend.

Në dekretin e 27 korrikut, Presidenti renditi nëntë shkelje mes të cilave më kryesoret ishin se ligji bie ndesh me Kushtetutën, konventat evropiane, parimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) për konkurrueshmërinë dhe parimet e ndarjes së pushteteve.

Ligji u kthye për diskutim në komision, ku shumica socialiste, në mënyrë të paprecedentë dhe të paligjshme, e miratoi dekretin e Presidentit —që praktikisht e rrëzon ligjin duke pranuar vërejtjet e tij, ndër të tjera për antikushtetueshmëri—dhe po aty për aty, brenda pak minutash, bënë amendime të ligjit, pa ja nënshtruar ato asnjë debati dhe procedure normale parlamentare.

Më 20 shtator, shumica socialiste miratoi sërish në kuvend ligjin e ‘ndryshuar’.

Më 11 tetor, Presidenti Meta, nuk e dekretoi për herë të dytë ligjin për Teatrin. Presidenti Meta nuk i miratoi ndryshimet e bëra nga shumica socialiste duke sqaruar se shumica socialiste nuk ka zgjidhur asnjë prej shkeljeve të Kushtetutës dhe parimeve demokratike që presidenti ngriti në korrik, kur nuk e dekretoi ligjin për herë të parë.

Nga nëntë shkelje që Presidenti Meta nxorri në pah nga ligji i parë për Teatrin, shumica socialiste është përpjekur që të plotësojë vetëm një prej tyre, që kishte të bënte me trajtimin preferencial dhe jo të barabartë të një subjekti privat, por sërish edhe me ligjin e ri kjo çështje nuk është zgjidhur.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>