Presidenti Ilir Meta i ka kërkuar sqarim Ministrisë së Mbrojtjes mbi statusin aktual të Gjeneralit Lleshaj — mbi ekzekutimin e vendimeve gjyqësore për rikthimin në punë dhe për ndryshimet në të dhënat personale të Gjeneralit Lleshaj.
Presidenti në letrën e tij sqaron se sipas neneve, 67, 103 dhe 167/1 të Kushtetutës, zoti Lleshaj nuk mund të emërohet Ministër i Brendshëm, pasi ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhen ose emërohen në funksione politike.
Arsyet e mësipërme, presidenti ia ka sqaruar edhe Kryeministrit, i cili më 9 nëntor i ridërgoi presidentit emrin e Sandër Lleshajt pa adresuar asnjë nga shqetësimet e presidentit.
Gjenerali Sandër Lleshaj u lirua nga detyra më 21 maj 2013 nga presidenti Bujar Nishani. Zoti Lleshaj e ankimoi në Gjykatën e Tiranës dekretin e Presidentit dhe urdhërin e ministrit të Mbrojtjes Arben Imami. Dhe me 17 dhjetor 2013 Gjykata vendosi rikthimin e Sandër Lleshajt në detyrë dhe pagimin e pagës deri në momentin e sistemit në një pozicion të ngjashëm.
Aktualisht nuk dihet nëse Gjenerali Lleshaj ka hequr dorë nga ekzekutimi i urdhërit të Gjykatës, pra nuk kërkon më rikthimin në detyrën e Zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura apo në një detyrë të së njëjtës gradë.
Kryeministri Rama e propozoi Sandër Lleshaj si ministër të brendshëm pas dorëheqjes së detyruar të Fatmir Xhafës. Por ky propozim nuk u dekretua nga Presidenti pasi binte ndesh me Kushtetutën.