Nata mbetet natë sado drita t’i vendosësh

Nga Enes Haxhia
Nata mbetet natë sado drita t’i vendosësh

Ka 28 vjet që festimet e fund vitit janë ndryshe nga ç’kanë qenë më parë në Tiranë dhe në Shqipëri. Ka drita, ka festë dhe njerëzit pavarësisht problemeve të përditshme që kanë mundohen si minimum të buzëqeshim të jenë më të gëzuar duke krijuar një atmosferë më ndryshe më optimiste. Po si asnjëherë tjetër, këtë vit zbukurimet e qytetit kanë filluar që në mes të muajit nëntor dhe tre ditë më parë, kryetari i Bashkisë së Tiranës ndezi dhe dritat e bredhit të vendosur në sheshin Skendërbej. Data ishte 20 nëntor dhe në traditën tonë ky muaj është një muaj shumë më i rëndësishëm, është muaji i fitores së Pavarësisë, pra kemi 106 vjet shtet. Megjithatë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, ndezi dritat e bredhit dhe nuk tha asnjë fjalë për 28 Nëntorin.

Sigurisht, për kryetarin e Bashkisë së Tiranës si një rilindas ndofta Dita e Pavarësisë nuk është e rëndësishme, por unë besoj së për pjesën më të madhe të shqiptareve kjo është ditë e shenjtë. Megjithatë, pyetja që shtrohet në këtë rast nuk ka të bëjë me festimin e ditës së Pavarësisë apo jo, por pse si asnjëherë tjetër ky rilindasi po na afron festat e fundvitit dhe po mundohet me çdo mënyrë të krijojë atmosferë festive që në mesin e nëntorit. Përgjigjia besoj është e thjeshtë, kryetari i Bashkisë së Tiranës e ka zhytur hapsirën që ai menaxhon në një errësirë të madhe dhe si një propagandist i njohur ai po mundohet ta ndriçojë me drita të forta me të vetmin qëllim shmangien e vëmendjes së publikut nga nata që e ka kapluar qytetin. Nuk janë vetëm ngjarjet e fundit me banorët e Unazës së Re, që në kundërshtim me të gjitha ligjet e vendit, po torturohen psikologjikisht me shembjen e shtëpive, por kemi kthimin e qytetit në një hapësirë ku shumë shpejt nuk do të mund të jetohet pasi ndërtimet e larta përkthehen papastërti, mungesë hapësirash publike e shumë gjëra të tjera që shpejt do e rendisin Tiranën, jo më të tretën për nga fundi si cilësi jetëse në Europë, por në fund të listës.

E besoj se as veshjet e tij me kristal bore, as dritat e bredhit dhe as kryqi i zbukuruar me kordele tek dritaret e zyrave e Kuvendit, nuk do ta fshehin natën.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>