Maqedoni, votat e opozitës shqiptare vendimtare për votimin e ndryshimit të emrit

Maqedoni, votat e opozitës shqiptare vendimtare për votimin e ndryshimit të emrit

Parlamenti i Maqedonisë do të votojë javën e ardhshme amendamentet për ndryshimin e emrit nga  Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (FYROM) në Republika e Maqedonisë Veriore.

Kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga votimi , Kryeministri Zoran Zaev po punon për të siguruar votat e nevojshme, të paktën 80 vota nga 120 deputetë të parlamentit.

Qeveria e Zaev, e cila ka nënshkruar marrëveshjen e Prespës për ndryshimin e emrit me Greqinë, do të ketë nevojë për mbështetjen e deputetëve të opozitës për të miratuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese, pasi partia e Zaev ka vetëm 50 deputetë në parlament.

Pak ditë më parë, Zaev tha se do të jetë e pamundur të parashikohet numri i votave pro ndryshimeve deri në ditën e votimit, javën e ardhshme.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE e ka kundërshtuar publikisht Marrëveshjen e Prespës dhe ka deklaruar se do të bojkotojë sesionin parlamentar të javës së ardhshme. VMRO-DPMNE ka 40 deputetë në parlament dhe vendimi i tyre për të braktisur votimin, duket se e ka detyruar Zaev të kërkojë votat e partive të tjera opozitare për të arritur numrin e nevojshëm të votave.

Partitë e tjera opozitare në parlament kanë 12 deputetë: BESA (2 deputetë), Aleanca për Shqiptarët (2 deputetë) dhe deputetë të pavarur (8).

10 votat e dy partive shqiptare të opozitës janë të kushtëzuara dhe lidhen me votimin e disa ndryshimeve kushtetuese të propozuara nga ata: vënia e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare dhe zëvendësimin e emërtimit “maqedonas” me “qytetarët e Maqedonisë së Veriut”.

Sot dhe nesër kryeministri Zaev do të takojë krytarin e Besës, Bilall Kasamin dhe kryetarin e Aleancës, Zijadin Selën për të negociuar për votimin për ndryshimin e emrit.

Miratimi i ndryshimeve kushtetuese për ndryshimin e emrit në parlamentin e Maqedonisë do t’i jepte fund negociatave të gjata me Greqinë dhe do të hapte rrugën për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE.

Me zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshje mes Maqedonisë e Greqisë merr fund një prej çështjeve më të diskutuara dhe të rëndësishme të rajonit në dekadat e fundit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>