Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) vendosi me gjashtë vota pro dhe pesë vota kundra rikthimin e prokurorëve Besim Hajdarmatajt dhe Olsian Çelës, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda duke shfuqizuar urdhërin e Kryeprokurores së Përkohshme, Arta Markut, për transferimin e tre prokurorëve në prokuroritë e rretheve. Më parë edhe Gjykata Administrative shfuqizoi urdhërin e Markut për transferimet e prokurorëve.
Kryeprokurorja Marku, më 20 shtator, vendosi transferimin e prokurorëve Hajdarmataj dhe Çela në Pogradec e Berat.
Çdo gjë nisi me largimin e dy prokurorëve të çështjes Shullazi, Elisabeta Imeraj dhe Ened Nakuçi.
Në gusht 2018, Elisabeta Imeraj u emërua në krye të Prokurorisë Tiranë, megjithatë bazuar në ligj, ajo nuk largohet nga çështjet që ka në ndjekje. Prokurori Ened Nakuçi, paraqiti në prokurori një raport mjekësor, sipas të cilit duhet të largohet nga puna për 6-muaj.
Në këto kushte, Donika Prela, drejtuesja e re e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, emëroi prokurorin Besim Hajdarmataj në këtë çështje. Vetë prokurori Hajdarmataj u shpreh se ka pranuar të përfaqësoje akuzën në këtë çështje, megjithëse emërimi i tij pa short ishte në shkelje me ligjin.
Për këtë arsye, në seancën e parë ku Hajdarmataj u paraqit, më 11 shtator, avokatët mbrojtës së Shullazit kërkuan largimin e tij. Kështu më 19 shtator, prokurorja Prela organizoi hedhjen e një shorti me të 17 prokurorët e Krimeve të Rënda, për të vendosur prokurorin e radhës për çështjen Shullazi.
Prokurorët e kundërshtuan zhvillimin e një shorti të ri, pasi sipas tyre, ai ishte i paligjshëm — çështja Shullazi i kishte prokurorët (Nakuçi dhe Imeraj) që kishin kryer hetimet, ndaj nuk kishte përse të zgjidheshin prokurorë të rinj.
Kundërshtimit të prokurorëve, Kryeprokurorja Marku iu përgjigj me masa disiplinore më 20 shtator: ajo vendosi nisjen e hetimit disiplinor për 7 prokurorë dhe transferimin e tre prokurorëve në prokuroritë e rretheve, specifikisht Besim Hajdarmataj në Pogradec, Sonila Muhametaj në Pukë dhe Olsian Çela në Berat.
Marku shkarkoi dhe kreun e Drejtorisë së Inspektimit në Prokurori, Sokol Stojanin, pasi ai refuzoi të hetojë 10 kolegët e tij.