Nëse KPK do të zbatojë ndershmërisht ligjin dhe frymën e reformës në drejtësi, dhe jo urdhërat politikë, prokurorja Donika Prela duhet të përjashtohet nga sistemi i drejtësisë për fshehje të të ardhurave dhe pasuri të papërligjur.
Një pjesë e madhe e të ardhurave të bashkëshortit të saj në vite, të deklaruara nga Zonja Prela si burim i pasurive të saj, janë përftuar në shkelje të ligjit dhe janë të paverifikueshme, nëse janë përftuar në të vërtetë apo janë deklarime fiktive vetëm për të justifikuar shpenzimet e bëra nga familja Prela.
Pika 3 e nenit D të Kushtetutës, shprehimisht kërkon që për efekt të vetingut në sistemin e drejtësisë, të ardhura të ligjshme të konsiderohen vetëm ato për të cilat janë paguar taksat përkatëse:
“…. Pasuri të ligjshme për qëllimet e këtij ligji konsiderohen të ardhurat që janë deklaruar dhe për të cilat janë paguar detyrimet tatimore….”.
Sikurse u pranua nga vetë Zonja Prela para komisionit të vetingut, bashkëshorti i saj, Vangjel Prela ka përftuar pagesa në dorë nga firma e ndërtimit Bruçi shpk, për rreth 8 vite, nga janari 2003 deri në dhjetor 2009, dhe nga shtatori deri në dhjetor 2011. Në fakt, punësimi i tij pranë kësaj firme duket të ketë qenë i padeklaruar ligjërisht, pasi jo vetëm nuk janë paguar taksa mbi të ardhurat e rrogës, por nuk janë paguar as sigurimet e detyrueshme shoqërore, që do të thotë se Zoti Prela ka qenë i punësuar krejtësisht në të zezë.
Sipas informacionit të dhënë në deklaratat e pasurisë së Zonjës Prela, bashkëshorti i saj nuk ka deklaruar të ketë paguar taksa as për pagesat e përftuara nga dhënia në përdorim e licencës së tij teknike ndaj palëve të tjera. Madje, dhënia në përdorim e licensës së tij, duket të jetë bërë pa asnjë akt formal, pasi nuk ka patur asnjë kontratë të nënshkruar ku të jenë përcaktuar kushtet e përdorimit dhe shpërblimet përkatëse.
Në total, të ardhurat e padeklaruara në shtet nga bashkëshorti i Zonjës Prela, kapin të paktën shumën e rreth 50 mijë euro-ve.
Kushtetuta e ndalon që këto të ardhura të përdoren si burim i ligjshëm për të justifikuar pasuritë e Zonjës Prela, të cilat edhe pa këtë problem, kanë një sërë pikëpyetjesh serioze, sikurse kemi raportuar më herët.Ndërsa rrëzimi në veting i Zonjës Prela për këtë problem duhet të jetë automatik, si detyrim i qartë kushtetues.
Madje KPK e ka respektuar këtë standard kushtetues në raste të tjera. Sikurse kanë raportuar sot një sërë mediash, para pak kohe, KPK, për të njëjtën arsye shkarkoi nga detyra prokurorin e Korçës, Elsion Sadiku. Në vendimin e përjashtimit të tij nga sistemi i drejtësisë KPK argumentoi:
“Pavarësisht provave [..] si deklarata noteriale e pronarit të klinikës dentare “(***)” dhe të dy klientëve të saj, listës së klientëve të klinikës dentare, fotokopje e librezës së punës së bashkëshortes, sqarimeve të pyetësorëve, etj., konfirmohet fakti se [..] bashkëshortja e subjektit të rivlerësimit [..] të ketë qenë e punësuar, punësim për të cilin të ketë paguar detyrimet tatimore,[…] për rrjedhojë, të ketë përfituar pagesa përpara kësaj date.
Në bazë të pikës 3 të nenit D të Aneksit të Kushtetutës: “Subjekti i rivlerësimit duhet të shpjegojë bindshëm burimin e ligjshëm të pasurive dhe të të ardhurave. Pasuri të ligjshme për qëllimet e këtij ligji konsiderohen të ardhurat që janë deklaruar dhe për të cilat janë paguar detyrimet tatimore….”.
Gjatë seancës dëgjimore për Donika Prelën, burimet e të ardhurave të bashkëshorit të Zonjës Prela, i vuri në dyshim edhe vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs, i cili u shpreh:
“Pse bashkëshorti juaj e ka marrë pagën në të holla dhe pse ai ka pasur llogari bankare? Mund të duket pyetje pa vend, por nuk janë paguar taksat. Kjo më le shije të keqe. Ju keni dhënë shpjegime, por unë e kam theksin tek taksat. Bashkëshorti juaj ka paguar taksa vetëm për lekët që ka marrë në bankë. Më bëni të kuptoj nëse bashkëshorti juaj është viktimë apo është pjesë e skemës që ka bërë evazion fiskal?”
Donika Prela nuk i mohoi akuzat e Theo Jacobs, por në mënyrë ironike u përgjigj se “unë e bashkëshorti im kemi jetuar në Shqipëri, jo në vendet e BE”, duke dëshmuar kështu edhe një shpërfillje të hapur për ligjin dhe standardet që priten nga punonjësit e drejtësisë, të cilët duhet të mbajnë përgjegjësi për të tjerët për shkeljet e ligjit. Edhe ky standard i ulët integriteti, do të mjaftonte për shkarkimin e saj, pasi një nga shtyllat e vetingut është aftësia profesionale e magjistratëve.
Në të vërtetë, të ardhurat e padeklaruara përbëjnë shkak të majftueshëm për hetim penal të Zotit Prela, jo vetëm për evazion fiskal, por edhe për pastrim të mundshëm parash që mund të kenë ardhur nga burime të paligjshme, përfshi korrupsionin. Mjafton të sjellim në vëmendje faktin se para pak javësh, Prokuroria e Tiranës nisi hetimin penal për evazion fiskal për 30 persona, duke arrestuar 15 sipërmarrës dhe shpallur në kërkim 12 persona të tjerë.
Në vend të hetimit, çifti Prela është munduar të mbulojë gjurmët apo përgjegjësinë ligjore për shkeljet ligjore të Zotit Prela. Në seancën dëgjimore para KPK-së, Zonja Prela, deklaroi se bashkëshorti i saj kishte bërë padi civile më 30 korrik 2018, kundër firmës private për mospagim sigurimesh shoqërore nga kjo firmë. Është e qartë se kjo padi është bërë pas shpalljes nga KPK të nisjes së procesit të vetingut për Prokuroren Prela. Nëse do të ishte një padi e nisur nga qëllime të sinqerta, ajo duhet të ishte bërë vite më parë.
Situata ndërlikohet më tej, pasi firma që Zoti Prela ka paditur, Bruçi shpk i ka shitur atij në vitin 2007 një apartament në Durrës, disa herë nën vlerën e tregut, të cilën çifti Prela e ka shitur disa muaj më vonë duke nxjerrë një përfitim rreth 19 mijë euro. Shitjen në çmimin e tregut, firma Bruçi e ka justifikuar se Zoti Prela është favorizuar si punonjës i firmës. Por mungesa e kontratës formale të punësimit, dhe mos pagimi i taksave dhe sigurimeve shoqërore mbi pagën e supozuar që firma Bruçi i ka paguar Zotit Prela, e bën të paverifikueshëm punësimin e tij dhe të pavlefshme justifikimin e çmimit të shitjes nga kjo firmë.