99-vjetori i Tiranës– Për të mos e rrënuar më tej qytetin për 100-vjetor

Nga Alice Elizabeth Taylor
99-vjetori i Tiranës– Për të mos e rrënuar më tej qytetin për 100-vjetor

Më 11 shkurt 2019, Tirana festoi 99-vjetorin e saj si kryeqytet.

E vendosur në qendër të Shqipërisë, qyteti është i rrethuar nga male e kodra dhe një fushë që përmes Durrësit shtrihet deri në detin Adriatik. Arkitektura me ndikime të shumëllojshme, plot ngjyra, elemente të veçanta dhe pazakonta, e bën me të vërtetë Tiranën një perlë unike në zemër të Ballkanit.

Tirana ka ekzistuar shumë kohë para se të bëhet kryeqyteti i Shqipërisë dhe zona ka qenë e banuar pak a shumë që nga Epoka e Hekurit. Aty kanë banuar një sërë fisesh ilire, gjersa Tirana u bë pjesë e rëndësishme e Perandorisë Romake, me mozaikët gjatë kësaj periudhe që janë ende të pranishëm edhe sot.

Pas pushtimit romak, qyteti ra, me radhë, në duart e Perandorive Bizantine dhe Osmane, deri në shekullin e 20-të, kur Kongresi i Lushnjës e shpalli Tiranën kryeqytet të Shqipërisë.

Tirana sot është kryeqendra e vendit, ku banon rreth një e treta e popullsisë, si dhe qendra më e rëndësishme ekonomike, politike, financiare dhe tregtare.

Mendja mund ta gënjejë lehtë një të huaj, që ecën rrugëve të Tiranës sot, se ky duhet të jetë një qytet modern i krijuar gjatë shekullit të shkuar. Xhamia e Et’hem Beut e shekullit të 18-të është një nga strukturat më të vjetra që mbahet ende në këmbë; pothuajse çdo gjë tjetër është shkatërruar ose zëvendësuar me ndërtime të dekadave të fundit.

Pjesa më e madhe e ndërtimeve janë blloqe apartamentesh të periudhës së komunizmit, me shtesa ca më të vona të mbira në katet e sipërme, ndërtesa të larta qeveritare neoklasike italiane, të lyera me ngjyra të ndezura dhe ndërtime me tulla, që duken sikur mezi mbahen në këmbë dhe që ndërthuren me ndërtesa prej betoni, qelqi dhe çeliku.

Janë të shumtë ata që ankohen se Tirana është qytet “i shëmtuar” dhe se ka nevojë për shumë punë për ta modernizuar. Unë mendoj se me “modernizimin” e Tiranës, rrezikohet të hiqet qafe hijeshia që mua dhe shumë të huaj të tjerë na ka tërhequr ta vizitojmë Shqipërinë dhe të jetojmë në Tiranë.

Nuk ka askund qytet si Tirana. Qytetin nuk mund ta ngatërrosh me ndonjë tjetër teksa ecën në cilëndo rrugë të tij: në bulevardin, apo rrugët e tjera me vargjet e pemëve anash, në rrugët dytësore me graffiti plot ngjyra dhe shitës frutash e zarzavatesh, apo në rrugët për këmbësorë me dyqane të gjithfarë lloji.

Unë e dua Tiranën. Ia dua energjinë që më përcjell sapo dal nga shtëpia. Ia dua mundësinë që më jep për të shëtitur për qejf pazareve nëpër rrugë, apo rrugicave nëpër lagje. Ia dua ato karakteret e njerëzve që takoj gjatë shëtitjeve. Ia dua ndërtesat e bukura dhe rrugët, që nuk lë rast pa i fotografuar.

Të huajt tëhiqen pikërisht nga këto gjëra kur vizitojnë Tiranën, tërhiqen nga unikalitetit i saj. Fotot e mia të këtyre pamjeve ndiqen dhe pëlqehen nga mijëra të huaj në internet. Janë të tilla pamje që i frymëzojnë dhe i bëjnë të huajt që të presin biletën dhe ta përfshijnë edhe Tiranën në udhëtimet e tyre në rajon. Njerëzve u pëlqen origjinaliteti dhe veçantia, ndaj edhe duan të shkojnë në vende që nuk janë si të tjerat.

Kam shkruaj më herët se shumë vende në Evropë kanë nisur t’i ngjajnë njëri-tjetrit për nga pamja. Lagje të tëra me ndërtesa dhe dyqane të shtrenjta në Pragë, Berlin apo Londër nuk kanë ndonjë ndryshim të madh. Fotot prej tyre duken njësoj. Në këto metropole po bëhet gjithnjë e më e vështirë të gjesh vende që vërtet meritojnë të quhen unike. Tirana ka të sajin pikërisht këtë origjinalitet, që mua më duket se është nën kërcënim.

Kërcënimi ka nisur përpara se unë të vija në Shqipëri. Projekti korruptiv për Sheshin Skënderbej dhe projekti për shembjen dhe zëvendësimin e Teatrit Kombëtar me kulla,  janë ndër kulmet që kërcënojnë origjinalitetin e Tiranës. Përditë dëgjojmë se godina të vjetra janë përfshirë në filan zonë zhvillimore, se shtëpi dhe dyqane vazhdojnë të shemben rregullisht, shpesh në mënyrë të kundraligjshme. Të gjitha në emër të “progresit”. Dakord, çdo qytet ka nevojë për të ndryshuar, në mënyrë që t’i përgjigjet nevojave të popullsisë në rritje, por në këtë proces duhet treguar kujdes të mos gërryejmë elementet që përbëjnë shpirtin e këtij qyteti.

Nëse politikanët në këtë vend duan ta zhvillojnë vërtet Tiranën, mbase duhet të ndalin së shemburi shtëpitë e njerëzve, të reshtin së shituri tokën publike dhe të mendojnë për disa elemente bazike të të jetuarit në qytet. P.sh., po sikur të shtronin troturet e qytetit? Po sikur ta bënin qytetin të përdorshëm edhe nga njerëzit në karroca invaliditeti? Po sikur të riparonin gropat në rrugë e trotuare? Po sikur të bënin ndonjë punë të mirë për të ulur ndotjen e ajrit, të investonin shumë në transportin public, të vendosnin një sistem riciklimi për plehrat, të rrisnin cilësinë e ujit, për të cilin ne të gjithë paguajmë? Këto janë elemente që do t’ia bënin më të mirë jetën qytetarëve dhe banorëve të Tiranës, por edhe turistëve, të cilët politikanët i duan aq shumë.

Kultura dhe trashëgimia kulturore janë thelbësore në formësimin e njerëzve. Identitetet tona formohen nga rrëfimet, historitë, ndërtesat, objektet, që na sjellin ndërmend të shkuarën dhe paraardhësit tanë, qoftë kjo për mirë apo për keq. Kur shkojmë në vende me histori, në ecim në gjurmët e atyre që kanë kontribuuar për të tashmen dhe për të ardhmen tonë.

Unë besoj se ne nuk e zotërojmë vërtet tokën ku banojmë; ne jemi vetëm ruajtës të saj, të cilëve iu është besuar kjo tokë për ta ruajtur për brezat e ardhshëm. Ajo nuk është toka jonë dhe as kemi të drejtë të fshijmë me një të rënë të dorës pjesë të historisë, për të ndërtuar ndërtesa monolite prej çeliku, që nuk i shërbejnë banorëve të qytetit, por veç një grushti njerëzish. Nuk ka për ta kthyer njeri kokën pas në të ardhmen dhe të thotë “Oh, sa mirë që qeveria e shembi teatrin e vjetër, apo ndërtesën historike, apo monumentin e kulturës”. Përkundrazi, njerëzit do të ndjejnë keqardhje dhe trishtim dhe do të dallojnë babëzinë e një grushti njerëzish në kurriz të të gjithë qytetarëve.

Në këtë ditëlindje të 99-të të Tiranës kam urimin që, kur të festojmë të njëqindtën, të mos kemi humbur akoma më tepër nga ajo që e bën kryeqytetin një vend vërtet të veçantë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>