Policia ka arrestuar 15 persona dhe po kërkon 7 nga protestuesit e djeshëm kundër qeverisë se Kryeministrit Edi Rama. Policia mori në pyetje edhe 5 protestues të tjerë, të cilët i la të lirë pasi i procedoi për krime të kryera gjatë protestës.
Policia i akuzon protestuesit e arrestuar dhe ata në kërkim se kanë kundërshtuar policinë, kanë goditur policë, kanë shkatërruar pronën dhe kanë prishur qetësinë. Sipas policisë, këta protestues kanë çarë kordonin e policisë, pasi kanë kundërshtuar dhe goditur policët në kordon, si dhe kanë goditur dyert e kryeministrisë, kanë thyer xhamat e dyerve dhe kanë prishur vepra arti pranë kryeministrisë.
Bilancin e protestës së dhjetëra mijëra qytetarëve kundër qeverisë e ka bërë edhe ministria e shëndetësisë. Ajo njoftoi se gjithsej 19 persona të lënduar kanë marrë ndihmë mjekësore në terren dhe në spitalet e Tiranës dhe janë larguar në gjendje të mirë shëndetësore. Nga këta, 9 ishin policë, 8 ishin protestues dhe 2 ishin gazetarë. Ministria nuk ka informuar se çfarë trajtimi mjekësor kanë marrë të lënduarit.