Duket se për herë të parë pas katër vitesh heshtjeje përballë situatës së drogës dhe krimit, zyrtarët e BE-së dhe SHBA-ve po fillojnë të flasin hapur për rëndësinë e luftës së krimit dhe drogës.
“Shqipëria duhet të vazhdojnë reformat, sidomos në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, për të bërë një paraqitje bindëse në qershor.”
Kështu u shpreh sot Drejtori i Përgjithshëm për Politikat Europiane e Fqinjësi dhe Negocimet e Zgjerimit Christian Danielsson, pas takimeve me Kryeministrin Rama dhe Kryetarin e PD-së Basha.
Të njëjtin qëndrim mbajti 3 ditë më parë dhe Philip Reeker, Këshilltar i Komandantit të Forcave ushtarake amerikane në Evropë, i cili së shpejti pritet të marrë detyrën e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Evropën. Në një deklaratë për shtyp, Philip Reeker u shpreh:
“Shqipëria duhet të luftojë krimin e organizuar dhe të tregojë se askush nuk qëndron mbi ligjin, në mënyrë që të hapen bisedimet zyrtare për anëtarësim në Bashkimin Evropian.”
Kujtojmë se vetëm në shkurt të 2019-ës, e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë Leyla Moses, pak muaj pas largimit të ish-ambasadorit Lu, foli hapur për rëndësinë e luftës ndaj drogës, korrupsionit dhe lidhjeve të politikës me botën e krimit.