15 miliardë lekë (rreth 110 milionë euro) është mosrealizimi i të ardhurave në buxhetin e shtetit deri fund të nëntorit 2015.
Gjatë kësaj periudhe u mblodhën rreth 343,4 miliardë lekë ose mbi 4 për qind më pak se plani buxhetor të rishikuar në korrik, pas mosrealizimit të të ardhurave gjatë gjysmës së parë të vitit.
Në krahasim me buxhetin fillestar, mosrealizimi i të ardhurave arrin rreth 30 miliardë lekë.
Rreth 71 për qind (10,6 miliardë lekë) të kësaj mungese e zënë të ardhurat tatimore dhe doganore.
Rreth 4,4 miliarde lekë mungojnë vetëm nga mbledhja e TVSH-së, që është dhe zëri më pak i realizuar i gjithë planit. Më pas, renditet mbledhja e akcizës, me një mungesë prej 4 miliardë lekësh.
Tatimi mbi të ardhurat personale, pavarësisht rritjes me 7,8 për qind krahasuar me një vit më parë, ka një mosrealizim në vlerën e 2 miliardë lekëve.
Zërat që janë më afër realizimit të planit janë të ardhurat nga tatim fitimi, taksat nacionale dhe të ardhurat nga sigurimet shoqërore e shëndetësore.