I zbehtë, i stërzgjatur dhe përsëritës, me imagjinatë të limituar dhe fjalorin e kufizuar si të një militanti socialist, Edi Rama u shfaq sot, një ditë pas protestës së opozitës, duke kërkuar që së paku ta besojnë dhe ta mbështesin votuesit e tij besnikë.
Ndërsa kundërshtarët politikë gëzojnë sa herë kryeministri i “rilindjes” shfaqet me taborrin e dobësive të tij në të tilla konferenca, ndërsa mbështetësit e tij e mëshirojnë dhe i përkthejnë dobësitë e tij si shprehje të qytetarisë, Edi Rama vijon të bëjë atë që më së miri ka zhvilluar këto vitet e fundit: të përçajë dhe polarizojë në skaje, duke e çuar ndarjen politike dhe krahinore të shqiptarëve në nivelet e vitit famëkeq ’97.
22 vjet më vonë, për të arritur këtë përcarje, nuk ka nevojë as të hapësh depot dhe as të armatosësh njerëzit. Në një vend që varfërohet çdo ditë, ku skandalet qeveritare miliona euroshë zhvlerësohen dhe harrohen në pak ditë, ku drejtuesit e prokurorisë nuk druhen fare të shfaqen publikisht si vartës të Kryeministrit, ku nuk ka Gjykatë Kushtetuese dhe kriminelët janë në garë force me njëri-tjetrin nuk është fare e vështirë t’i hedhësh benzinë zjarrit të dasive shoqërore e politike, të cilat djegin e dëmtojnë më shumë shishet molotov të opozitës apo gazi i Lleshit.
Në këtë shoqëri të ndarë, mes qytetarëve të acaruar me papërgjegjshmërinë, padrejtësitë dhe propagandën e qeverisë dhe atyre të tjerëve që duan të ruajnë vendin e punës dhe privilegjet e vogla të pushtetit, Kryeministri ka zgjedhur të jetë në anën e këtyre të fundit.
Këta ai i shpalli sot si shoqëria që nuk do dhunën, si qytetarë të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm, përballë pjesës tjetër, e cila për shkak se proteston përballë zyrës së tij, nuk është gjë tjetër veçse një turmë vandale, që meriton gazin lotsjellës dhe që duhet të luftojë, siç thotë ai, për karriget e Lulit dhe Monës.
Me këtë mënyrë djallëzore, Edi Rama po përpiqet që pakënaqësinë popullore ndaj tij ta kanalizojë në lumin e dhunës dhe antiqytetarisë, duke rritur hendekun, inatin dhe përplasjet mes atyre që nuk u është prekur (ende) interesi nga qeverisja dhe të tjerëve që u ka shkuar thika në palcë dhe që di dje, edhe sot e nesër do dalin të protestojnë sërish edhe më të mllefosur nga gjuha përçarëse e Kryeministrit.
Është ky njeriu që kur erdhi në pushtet e shpalli veten udhëheqësin e ri, ndryshe, të gatshëm të lëshonte pushtet për të ndërtuar shtet, i cili në dëshirat e tij të fshehta ëndërronte të udhëhiqte të gjithë kombin e bashkuar dhe si i tillë të zinte vend në tryezat e udhëheqësve globalë që diskutojnë probleme mbarëbotërore.
Ky njeri tashmë ja ka dalë të përçajë kombin dhe të polarizojë skajshëm një shoqëri të keqndërtuar dhe keqmësuar përgjatë një epoke të errët komuniste dhe tranzicioni pa fund.
Me këtë sjellje politike, me etiketimin përqeshës “fejsbuki” për veriorët, Kryeministri i Shqipërisë u soll sot si shefi lokal i ndonjë dege periferike të PS, duke treguar përçmim për ata që që nuk flasin shqipen e detyrueshme të partisë së dikurshme mëmë dhe nuk kanë “rafinimin” e elitës së pasuruar me djersën dhe vuajtjet e popullit.
I mbyllur në zyrat dhe sallonet e rezervuara për qeveritarët, Edi Rama përdor ende sistem referimi të keqen e të shkuarës, duke krahasuar çdo protestë të opozitës së sotme me 21 janarin 2011.
Thuajse 7 vjet në pushtet, ai ende nuk ka mundur të prodhojë, madje as të sajojë ndonjë ngjarje më entuziaste apo vepër të dobishme, të cilën ta përdorë si krahasim pozitiv sa herë opozita shkel vijën e kuqe përballë zyrës së tij në Kryeministri. Sistemi i krahasimit me ditën më të keqe të kundërshtarit, tregon dështimin e një qeverisje që s’ka prodhuar asgjë me të cilën të mburret në ditën e saj të përballjes me revoltën e të pakënaqurve.
Sot Edi Rama mund të dukej në ditën e tij jo të mirë, mund të ketë shfaqur dobësitë njerëzore dhe politike që dhe paraardhësit e tij nuk i kanë fshehur dot, por as në këtë ditë ai nuk arriti dot të fshehë përbuzjen për ata që protestojnë ndaj tij—për qytetarët që nuk e kanë votuar, nuk e kanë dashur e ndoshta dhe për ata që gjatë rrugës kanë kuptuar se të shkruash, flasësh apo pikturosh (bukur) nuk të mbron dot nga ndikimi i Ndokës, Gjushit apo banditëve që të janë bërë bashkëpunëtorë të afërt.
Një politikan që ka 21 vjet në politikë dhe një Kryeministër që do të qëndrojë gjatë në majë, duhet ta kishte mësuar se njerëzit falin e justifikojnë shumë gjëra, edhe varfërinë, por jo përçmimin dhe trajtimin si njerëz pa vlerë.
Komentuesit që ankohen në “fejsbukin” e tij janë njerëz të vërtetë dhe përçmimi e shpërfillja ndaj halleve të vërteta të tyre i ka çuar ata tek dera e zyrës së tij dhe shpejt ata mund ta nxjerrin që andej. Ajo ditë do të jetë çasti kur historia do ta fillojë ta përçmojë përgjithmonë.