Bundestagu gjerman mund të vendosë kushte shtesë për hapjen e negociatave me Shqipërinë.
Gazetarja e Deutsche Welle Anila Shuka deklaroi për Top Channel se grupi parlamentar i kancelares Merkel CDU/CSU “ka disa rezerva sidomos për Shqipërinë, e për këtë mund të kërkojë edhe kushte shtesë’.
Sipas Zonjës Shuka, në parlamentin gjerman ndjehet një klimë nervozizmi mbi vendimin që duhet të jepet mbi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Megjithë qendrimin e ministrit të Shtetit për Evropën Michael Roth se Gjermani duhet të votojë pro hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë sepse përndryshe vendet e Ballkanit mund të humbasin besimin tek BE-ja, deputetët e tjerë të grupit parlamentar nuk janë të bindur për hapjen e negociatave.
Javët e fundit, disa deputetë gjermanë kanë deklaruar se nuk do të votojnë për hapjen e negociatave me Shqipërinë, vetëm për hir të afateve, pa parë përparim konkret në plotësimin e kushteve dhe reformave.
Megjithatë deputetët gjermanë do të marrin vendimin për hapjen ose jo të negociatave vetëm pasi Komisioni Europian të ketë nxjerrë raportin e përvitshëm të përparimit.
Ky raport do të bëhet publik pas zgjedhjeve europiane dhe me shumë gjasa parlamenti europian do të marrë vendimin e tij në shtator.