Kryeministri Edi Rama deklaroi dje se qeveria ka marrë masa për të siguruar zhvillimin e qetë të zgjedhjeve lokale më 30 qershor. Një prej këtyre masave për të parandaluar incidentet në qendrat e votimit, sipas Ramës, është filmimi i procesit të votimit:
“Ligji [zgjedhor] është kaq i rreptë për krimet elektorale. Kur shkon atje, kemi marrë të gjitha masat. […] Do të jesh me film… Do shohësh filmin, ‘ja ku je vlla, ke vajtur në filan qendër dhe ke bërë këtë gjë. Hajde içik tani’. I kemi marrë masat përfekt. Do të shohin fytyrën e vet dhe nuk do thonë dot ‘jo nuk isha unë’… Dhe mbasi të dënohen këtu nuk do dalin dot më nga Shqipëria.”
Me këtë deklaratë, Kryeministri Rama përsëriti kërcënimin e tij se ata që shkelin kodin zgjedhor nuk do të mund të udhëtojnë jashtë vendit, një mit që tashmë është hedhur poshtë nga Komisioni Europian.
Propozimi i Ramës për të filmuar procesin e votimit shkel Kodin Zgjedhor. Brenda qendrave të votimit nuk lejohet të ketë persona të tjerë, në këtë rast për të filmuar, përveç anëtarëve të Komisionit të Qendrës së Votimit dhe vëzhguesve të akredituar, siç e parashikon neni 110 i Kodit Zgjedhor.
Vendosja e kamerave brenda apo afër qendrave të votimit, siç është propozuar nga Kryeministri, kërcënon fshehtësinë e votës dhe mund të perceptohet si një mënyrë për të frikësuar votuesit, veçanërisht kur ata kërcënohen nga kryeministri se “nuk do t’i lejohet të udhëtojnë më jashtë vendit”.
Përgjimet e bëra publike ditët e fundit të telefonatave ku dëgjohej Astrit Avdylj, kreu i bandës së Shijakut, teksa mbledh vota për Partinë Socialiste në Durrës duke kërcënuar qytetarët, kanë treguar se ky rrezik është real.
Për më tepër nëse personat që do të filmojë dhe kujdesen për kamerat do të paguhen nga buxheti i shtetit dhe do të jenë pjesë e administratës publike, ky propozim shkel sërish drejtpërdrejtë Kodin Zgjedhor, i cili ndalon përfshirjen në zgjedhje të administratës publike.