Si më ndryshoi ushqimi shqiptar, mua italianen

Nga Noah
Si më ndryshoi ushqimi shqiptar, mua italianen

Pasi erdha në Shqipëri, një nga gjërat që dehej të bëja ishte të përshtatesha me shijet e ndryshme, mënyrat e ndryshme të gatimit, dhe sigurisht me mënyrën e të ngrënit.

Shqiptarët e duan ushqimin e tyre dhe në shijen shqiptare, çelësi është thjeshtësia—bukë, vaj, ullinj, djath, mish dhe domate gjenden në çdo tavolinë, çdo darkë, në të gjithë vendin.

Por disa njerëzve, sidomos të huajve u duhet kohë të mësohen me këtë. Herën e parë që provova tavë kosi—mish i gatuar me kos—u tmerrova thjesht nga mendimi se do të haja ëmbëlsirë me mish qingji.

Me origjinën time prej italianeje dhe me opinionet e forta të trashëguara mbi ushqimin, e gjeta veten përpara një ndryshimi të madh. Ne italianët gatuajmë mirë, por mendojmë se mënyra jonë është më e mira dhe e vetmja.

Shpejt mësova se nëse nuk do të eksperimentoja me ushqimin shqiptar diçka do të humbisja, dhe tani jam shumë krenare që mund të gatuaj disa pjata tradicionale shqiptare.

Duke qënë e huaj, ndjeja mungesën e shtëpisë, përfshi edhe mungesën e ushqimit normal. M’u desh të kujtoja se Shqipëria po dilte nga një periudhë e vështirë ku njerëzit ishin, dhe ndoshta ende janë, duke u përballur dhe përpjekur me varfërinë, çdo ditë.

Doja të jetoja ashtu sikurse jetonin shqiptarët, të kuptoja, të ndjeja, të shijoja, edhe të vuaja, nëse do të ishte e mundur së bashku me ta. Ndaj provova çdo gjë që më jepnin njerëzit.

Pavarësisht se nuk stepem nga gjërat e reja, jo gjithmonë ja dola.

Por një gjë që më pëlqeu ishte fakti se edhe pse disa prej tyre nuk kishin shumë për të ndarë, ishin përherë të lumtur ta ndanin me mua dhe atë pak që kishin.

Miqtë më ftonin për darkë. Gjithmonë gjeja një tavolinë të gjatë të shtruar bukur, me mbulesë të pastër dhe me mezera të ndryshme. Kastraveça të freskëta, djath, mish, vezë, turshi—dhe këto vetëm për fillim. Më pas vinte mishi—pulë me pilaf dhe byrek për ta shoqëruar.

Njëherë u përpoqa t’i haja të gjitha pjatat që kisha përpara, duke menduar se do t’i bëja qejfin zonjës së shtëpisë. Problemi ishte se kur të gjitha pjatat u boshatisën, zonja e shtëpisë mendoi se nuk kishim ngrënë mjaftueshëm.

Disa minuta më vonë ajo u shfaq me një tas të madh me makarona të zjera shumë. Unë isha e mbingopur, por ishte e pamundur të mos i haje makaronat, aq shumë sa këmbënguli ajo. Unë i hëngra të gjitha, vetëm se më vonë u sëmura.

Çdo herë ndryshoja mënyrën si mendoja.

Ushqimi ishte një mënyrë shumë e mirë për të kuptuar njerëzit dhe vendet. Shije të reja, kënaqësi të reja. Në momentin që fillon të hash, fillon të kapërdish edhe ato çfarë nuk kupton, çfarë nuk pëlqen apo edhe gjërat që urren.

Përmes ushqimit arrin të kuptosh edhe mënyrën si njerëzit mendojnë, mënyrën se si ndajnë, mënyrën se si jetojnë. Mund të fillosh ta shijosh dhe befas të fillosh të ushqehesh e të jetosh si to. Ndaj, dalëngadalë ndryshova.

Tani më shijon ta ha domatet sikur të ishte mollë apo qepë të freskëta me djath. Kur them më shijon nuk flas vetëm për ushqimin—është një mënyrë e të jetuarit, ka një mendim të thellë pas saj, është një mënyrë tjetër e të parit të botës, pa shumë rregulla dhe etikë, e sinqertë dhe e egër.

Nëse je me fat dhe e viziton Shqipërinë, pasi ke parë bukuritë e saj natyrore, mos harro të kalosh pak kohë me vendasit.

Mos u përpiq t’i shmangësh gjërat që në fillim nuk të pëlqejnë, shko me vendasit, në shtëpitë e tyre, nëse të ftojnë, ha çfarë të japin, dhe ju premtoj se nuk do të jeni më si më parë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>